Elis Tejlor është një nga protestueset më besnike për çështjen e Teatrit Kombëtar. E ardhur nga Anglia që prej dy vitesh, gazetarja u lidh shumë me atë godinë nga e cila kanë mbetur veçse rrënoja, që në momentin kur shkruajti artikullin e parë.
Elis thotë se nuk arrin ta kuptojë se si u vendos shembja e teatrit, një godinë me aq vlera historike e kulturore për vendin.
Kam filluar të shkruaj për çështjen e teatrit që 2 vjet më parë, kur fillova të punoj në Shqipëri si gazetare. Më interesoi për mënyrën sesi e bëri komunitetin të bashkuar, dhe sepse si protestë ka më shumë në fokus komunitetin. Fillova si praktikante e huaj dhe i vlerësoj shumë ndërtesat e vjetra historike. Diçka që më pëlqeu për Tiranën, kur erdha për herë të parë, ishte përzierja e larmishme e arkitekturës dhe kjo ishte ajo që mu duk më unike për Tiranën dhe kur dëgjova që kjo godinë do të shembej, u mërzita shumë sespse mendova që a e dinë këta që ajo është një pjesë unike arkitekturore. Mendoj që nëse s'do të mbetej më një teatër, mund të kthehej në një muze të shkëlqyer.
Elis thotë se në vendin e saj mbrohen jo vetëm institucionet e trashëgimisë kulturore, por madje edhe banesat e thjeshta, kur vlerësohet se bartin vlera të veçanta.
Shtëpia ime në Angli, ishte e vjetër dhe është e mbrojtur nga qeveria, edhe pse unë jam pronare e saj. Ne nuk na lejohet ta lyejmë shtëpinë, nuk na lejohet të ndryshojmë dizajnin e dritareve, të dyerve apo të ndryshojmë muret brenda e jashtë saj pa lejen e qeverisë. Kjo sepse është një godinë e vjetër dhe ta mendosh që është thjesht një shtëpi dhe jo një trashëgimi kulturore. Unë erdha në një vend ku vlerësohen godinat e vjetra dhe mendoj se dhe njerëzit këtu i vlerësojnë, është thjesht qeveria juaj që ka prioritet paratë përpara historisë dhe kulturës.
Gazetarja 34 vjeçare u bën thirrje shqiptarëve t’i mbështesin protestat e artistëve, pasi kauza e tyre ka vlerë historike e kulturore dhe jo politike.
Fakti që zëri dhe dëshirat e njerëzve dhe të institucioneve të jashtme nuk u respektuan aspak, mendoj që e bën këtë protestë një kauzë shumë të fortë. Është një lëvizje qytetare, e unifikuar që nuk ndodhi vetëm për Teatrin, apo për të mbrojtur drutë dhe tullat që e mbanin bashkë, por për të dhënë një shenjë që shqiptarët kanë votuar për demokraci, dhe kur njerzit ta kuptojnë këtë gjë, atëherë do kuptojnë dhe rëndësinë e kësaj proteste. Kafenetë do jenë tashmë të hapura çdo ditë, pse mos të dilni dhe për të protestuar? Kjo nuk është një kauzë politike. Shqiptarët janë njerëzit me patriotikë që kam njohur ndonjëherë, dhe besoj që ky është një rast për ta treguar këtë gjë.
Fadromat e Bashkisë janë duke pastruar rrënojat e fundit nga ajo që ka mbetur nga godina e teatrit. Në daljet e fundit, kryebashkiaku Veliaj nuk ka përjshtuar mundësinë e ndërtimit të kullave në pjesën e pasme të hapësirës që do të mbetet nga teatri i ri.



