Qeveria Hoti ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Kundër këtij vendimi kanë votuar përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar sot në një konferencë për media, se presin që edhe pala serbe t’i heq pengesat në mënyrë që vazhdohet dialogu.“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heq të gjitha pengesat por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”.
Hoti ka deklaruar se pas heqjes së pengesave do të ulen në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se këto vendime i kanë marrë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“ Kemi një dakordim me miqtë ndërkombëtar që presioni i tyre të jetë edhe karshi Serbisë, pasi të heqin edhe ata pengesat për dialog ne do të vazhdojmë”.
Vjosa Osmani reagon ashpër pasi Avdullah Hoti shfuqizoi vendimet e Kurtit për reciprocitet
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka kundërshtuar edhe krijimin e Qeverisë Hoti, ka reaguar pas vendimit të sotëm për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Osmani ka thënë se konsiderimi i reciprocitetit si pengesë nënkupton që nuk do që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Ishte Qeveria Kurti që kishte zëvendësuar taksën me reciprocitet ndaj Serbisë.
Reciprociteti kishte nisur së aplikuari më 1 prill në formë graduale. Derisa më 29 maj Qeveria Kurti kishte ashpërsuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke detyruar shtetin fqinj që të përdorë emrin “Republika e Kosovës”. Asnjë maune nuk ishte lejuar të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuronte: Republika e Kosovës.



