Me sloganin “Pilafi s’mban më ujë”, qytetarë të shumtë janë mbledhur pak pas orës 18.00 në sheshin “Skënderbej”, në protestë kundër rritjes së çmimeve.
Protestuesit kanë marshuar më tej për te Kryeministria, duke kërkuar zbutjen e peshës së çmimeve të rritura nga kurrizi i tyre.
S’ka më nëpërkëmbje, s’ka më sakrifica, ka vetëm të drejta, këto kërkon shumica.
Boll më me zhvatje, boll me hajdutëri, na vodhët të ardhmen, na vodhët lirinë.
Do dalim në rrugë me qindra me mijëra, po nuk ranë çmimet, do bjerë qeveria.
Ministrat për qejf, hoteleve në Dubai, ka shkuar 5 mijë lekë shishja e vajit.
Ju jeni milionera me vila dhe makina, s’paguajmë më për ju, as unë dhe as familja.
Kështu thirrën në kor protestuesit të cilët marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar taksimin e oligarkëve dhe jo qytetarëve, për të vijuar më tej me thirrjet për uljen e çmimeve dhe rritjen e pagave.



