
Ish-kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, deklaroi me lot në sy gjatë një konference për shtyp, se ka vendosur të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Popullore, si dhe do të largohej përfundimisht nga skena politike.
Duke njoftuar vendimin e tij të martën pasdite, Rajoy tha: "Është më mirë për mua dhe për PP. Mendoj se është edhe më mirë për Spanjën".
E përditshmja spanjolle El Pais shton se tashmë nis një fazë tranzicioni, e drejtuar nga kryetari në largim, me organizimin e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë për të zgjedhur kryetarin e ri.
Rajoy në fjalën e tij u shpreh se Partia Popullore duhet të vazhdojë progresin nën drejtimin e dikujt tjetër.
Rajoy, i cili ka shërbyer si kryeministër për gati shtatë vjet, tha se ai nuk mund ta imagjinonte jetën jashtë partisë, por tani kishte ardhur koha që ai të largohej.
"Unë kam qenë një anëtar në nivel lokal dhe udhëheqës i partisë", tha ai. "Unë kam qenë këshilltar dhe kryeministër. Por tani është koha për ta sjellë atë në një fund. PP do të vazhdojë të ecë përpara me historinë e shërbimit të popullit spanjoll", tha më tej Rajoy.
Rajoy, 63 vjeç, u përshkrua shpesh si mbijetuesi i madh i politikës spanjolle, por u detyrua të largohej nga detyra të premten e kaluar pasi parlamenti miratoi mocionin e mosbesimit me 180 vota pro 169 kundër, me vetëm një votë abstenim.
Pedro Sánchez, kreu i Partisë Socialiste, u betua si kryeministër të shtunën. Ai ka premtuar të adresojë "nevojat e ngutshme sociale" të vendit dhe të thërrasë një zgjedhje të përgjithshme para përfundimit të legjislaturës aktuale në vitin 2020.
Sanchez gjithashtu ka ofruar dialog për të zgjidhur krizën katalane të pavarësisë. Të martën, u njoftua se Josep Borrell, ish-president i Parlamentit Europian, do të shërbente si ministri i ri i Jashtëm spanjoll.



