Depresioni post partum ishte tema e trajtuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, ku në studio ishin psikologia Almeida Xhaferri dhe influencerja Enki Nako.
Të ftuarat ndanë informacione dhe përvoja personale mbi sfidat emocionale që shoqërojnë periudhën pas lindjes, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare dhe identifikimit në kohë të simptomave.
Psikologia Almeida Xhaferri shpjegoi se fillimisht të gjitha nënat kalojnë një periudhë melankolie pas lindjes, e cila lidhet me lodhjen e madhe fizike dhe emocionale.
Kur flasim për depresionin post partum duhet të kemi parasysh që të gjitha nënat kalojnë rreth 14 ditë melankoli për shkak të lodhjes, pasi nëna është 24 orë në shërbim të bebit dhe përballet me shumë pasiguri emocionale.
Sipas psikologes, kur simptomat zgjasin dhe ndikojnë në jetën e përditshme, situata mund të konsiderohet depresion post partum.
Ajo renditi si shenja kryesore mungesën e interesit për aktivitete që më parë sillnin kënaqësi, ndjenjat e fajit, mendimet negative për veten si nënë, ndryshimet në të ushqyer, humori i ulët dhe një parehati e vazhdueshme.
Nëse pesë nga këto simptoma bashkëjetojnë, duhet të kuptojmë se nëna është duke përjetuar një depresion post partum.
Ajo theksoi se mbështetja e familjes dhe veçanërisht e partnerit luan një rol kyç në përballimin e kësaj periudhe.
“Me ardhjen e bebit humbet një pjesë e rutinës së mëparshme, kontaktet sociale, puna dhe ndryshon edhe raporti në çift. Prandaj ka shumë rëndësi mënyra se si bashkëshorti e mbështet gruan. Duhet të jetë pranë saj dhe t’i tregojë se është aty për të.
Nga ana tjetër, influencerja Enki Nako ndau eksperiencën e saj si nënë, duke treguar se ka pasur fatin të ketë një fëmijë të qetë, gjë që e ka ndihmuar në përjetimin e mëmësisë.
Amori vazhdon të jetë një fëmijë i mbarë dhe ma ka lehtësuar shumë situatën e mëmësisë, aq sa jam gati edhe për një fëmijë të dytë.
Nako foli edhe për vështirësitë fizike gjatë shtatzënisë, duke treguar se kishte shtuar rreth 35 kilogramë, ndërsa përveç sfidave fizike u përball edhe me komentet e njerëzve.
Në shtatzëni kam marrë 35 kilogramë. Më kanë shqetësuar vështirësitë fizike që vinin me peshën, por edhe komentet e njerëzve që nuk të lënë rehat.
Ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e bashkëshortit gjatë kujdesit për fëmijën.
Bashkëshorti im më ka ndihmuar gjithmonë, madje jemi kujdesur me turne për fëmijën.
Mesazhi kryesor i diskutimit ishte se depresioni post partum është një gjendje që prek shumë nëna dhe nuk duhet neglizhuar, ndërsa mbështetja emocionale nga partneri dhe familja mbetet një faktor vendimtar për mirëqenien e nënës së re.



