Analisti Ben Andoni, komenton zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në 6 bashki, për të zgjedhur gjashtë kryebashkiakët.
Lidhur me pjesëmarrjen e deritanishme në shifrën 15.3%, Andoni tha për MCN TV, fuqia e zgjedhësve është më shumë në aspektin politik.
Ai deklaroi se përplasjet kanë qenë gjithmonë ndërmjet njerëzve të Partisë Demokratike dhe fraksionit të Partisë Demokratike të përfaqësuar nga “Shtëpia e Lirisë”.
“Këto zgjedhje të pjesshme na kanë mësuar, mosfunksionim real të shtetit tonë dhe mosdaljen përpara situatave të tilla. Është e papranueshme që në këto zgjedhje të mos ketë prani komisionerësh. Mendoj se deri diku është e qëllimshme. Largimi i kaq komisionerëve, është diçka e qëllimshme. Në procese zgjedhore me paratë që hidhen në zgjedhje, qoftë dhe në të pjesshme, shteti ka rolin e vetë për të ndihmuar mbarëvajtjen e duhur të zgjedhjeve. Në Dibër nuk ka energji, në Shkodër ka pasur probleme pafund prej kushteve. Në Lushnjë, vetë kandidatja nuk e gjeti veten të identifikuar. KQZ duhej të asistohej më shumë nga shteti. Do isha shumë optimist që pjesëmarrja të shkonte në 40%. Këto zgjedhje janë parë më shumë si politike brenda PD, se sa për administratorin e qytetit”.
Ai shoi se rëndësi më të madhe ka që të adresohen problematikat dhe njerëzit që merren me proceset zgjedhore, grupet e interesit, të mos jenë thjesht garniturë kur bëhet reforma zgjedhore.
Andoni shprehu si shqetësim, se jemi në vitin 2022 dhe ne nuk arrijmë dot të bëjmë zgjedhje normale dhe se numërimi i votave bëhet në qendër, duke kërkuar që të hiqet ky mosbesim i madh.
“Të gjithë këta elementë ka të bëjnë që nëse reforma zgjedhore bëhet në kohën e caktuar, duhen adresuar për ti thjeshtuar sa më shumë, për të futur votimin elektronik në qytetet kryesore të vendit. Është koha e duhur që të aplikohet edhe në rrethet kryesore të vendit”.
Lidhur me thirrjen e ambasadores Yuri Kim, për kandidatët, Andoni nënvizoi se në momentin që ambasada merr përsipër pjesën e vëzhguesit, ka rënë dakord.
“Kur ambasada përfshihet kaq shumë në votime, mendoj se është e tepruar. Nuk duhet të ishte. Janë vetë partitë politike që duhet të mendohen për mesazhet e dhënë për non gratat. PS nuk duhet ta përfshinte Vangjush Dakon në fushatë. Përfshirja e ambasadës është e tepruar. Me gjithë postimin shumë pozitiv dhe inkurajues të ambasadës, mjafton të shohësh këtë madhësi të komisionit me 8-9 anëtarë, shikon që reformës tonë zgjedhore i mungojnë shumë elementë”.
Andoni deklaroi se e sheh shumë të vështirë ndryshimin në Shkodër, duke thënë se zakonisht në Shkodër votohet me ngjyrat partiake dhe jo me interesin për qytetin.
Ai shprehu dyshim se sa do i besohet një zonje nga ana e Partisë Socialiste, ashtu si zotit Bardh Spahia, i cili është rezident në Tiranë.
“Këto janë edhe paradokset. Ndërsa zoti Bushati ka qenë i përfshirë më parë në strukturat bashkiake. Duket se e majta mund të përfitojnë nga kjo përçarje shumë e madhe”.
Ai shtoi më tej se është ende herët që Lulzim Basha dhe Sali Berisha të bashkohen.
“Nuk mund të shkojnë më të ndarë, do i diktojë nevoja e kohës dhe zgjedhjeve që po afrohen. Për tu futur siç duhet në sistem. Në komisionin parlamentar të inceneratorëve, ata kanë qenë bashkë. Në projekte të tjera kanë qenë bashkë. Berisha e kupton shumë mirë, se sado që të jenë kundër zotit Basha, lufta do bëhet në parlament. Këto zgjedhje janë indikatorë, për të parë se ku është publiku me Partinë Socialiste”.



