
Policia e Shtetit ka bërë një bilanc lidhur me autorët e zjarrvënieve, duke bërë me dije se janë identifikuar 137 autorë, nga të cilët janë arrestuar 46. “Blutë” bëjnë me dije se po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me drone.
“Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, përgjatë muajve qershor, korrik dhe deri sot, janë angazhuar maksimalisht për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve. Prej qershorit deri më datë 14 gusht, strukturat e Policisë kanë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.
Ndërkohë, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.
Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile”.



