Në vazhdën e fushatës për zgjedhjen e strukturave të LSI, kryetari aktual i kësaj force politike Ilir Meta është ndalur këtë të dielë në Kuçovë. Ai ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë ku ka theksuar se LSI është një forcë politike e prirur për bashkëpunim dhe jo konflikt.
Meta kërkoi angazhim për një process organizativ të shkëlqyer e transparent.
“Mesazhi i LSI bën diferencë të madhe me mesazhet e të tjerëve sepse është një mesazh i cili është i përqendruar tek e ardhmja, tek e nesërmja. Është një mesazh që është i përqendruar tek zgjidhja e problemeve, dhe jo tek krijimi i problemeve të reja. Është një mesazh i përqendruar tek bashkëpunimi dhe jo te konflikti. Sepse qytetarët janë të lodhur nga konflikti politik dhe ai nuk ofron zgjidhje, veçse vështirëson zgjidhjet që duhen për njerëzit. Për ne kanë nevojë ata të cilët kanë nevojë për shërbime më të shpejta, më të ndershme, më transparente dhe këtu përfaqësuesit tanë duhet të bëjnë diferencën.”, - u shpreh Meta.
Në takim të pranishëm ishin dhe Nasip Naco, Erisa Xhixho si dhe deputetë të LSI të qarkut Berat.
Zgjedhjet për drejtuesit e rinj të strukturave të LSI, përfshirë edhe postin e kryetarit do të zhvillohen më 6 nëntor.



