
Një grup prej dhjetëra prokurorësh të Republikës së Shqipërisë i janë drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kërkesën për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve.
Ata kërkojnë diskutimin e çështjeve që lidhen me sigurinë fizike dhe mbrojtjen e figurës e dinjitetit të magjistratëve, pas vrasjes tragjike të një gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës.
Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së një magjistrati (gjyqtari) gjatë ushtrimit të detyrës, e cila ka tronditur të gjithë trupën e drejtësisë dhe ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë. Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm institucional dhe një vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese.
Prokurorët theksojnë se ngjarja ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë dhe kërkojnë marrjen e masave konkrete për mbrojtjen e magjistratëve.
Ata propozojnë që mbledhja të mbahet sa më shpejt për të formuluar rekomandime institucionale ndaj KLP-së dhe qeverisë.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje është diskutimi dhe shqyrtimi i gjendjes aktuale të sigurisë në ambientet e prokurorive dhe i garancive për mbrojtjen e jetës, integritetit dhe pavarësisë funksionale të magjistratëve, përfshirë: – Sigurinë fizike në ambientet e prokurorive (kontrollin e hyrjeve, pajisjet e sigurisë, praninë e policisë gjyqësore dhe të policisë së shtetit); – Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, si dhe nevojën për kompensim apo mbështetje institucionale për transportin dhe akomodimin; – Rishikimin e standardeve të sigurisë në raport me praktikat e Bashkimit Evropian dhe udhëzimet e CEPEJ dhe Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë; – Marrjen e masave konkrete për garantimin e kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës. Në këtë kuadër, vlerësojmë të domosdoshme që në mbledhje të trajtohet edhe çështja e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve, prokurorëve, e manifestuar herë pas here nga përfaqësues të politikës, mediat dhe portalet online.
Është e nevojshme që sistemi i prokurorisë, përmes organeve të veta përfaqësuese, të mbajë një qëndrim të qartë institucional ndaj këtij fenomeni dhe të ndërmarrë nisma për forcimin e mbrojtjes së figurës, dinjitetit dhe sigurisë së magjistratëve.



