Evi Kokalari, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” nw MCN TV ka bërë me dije se ka ndërmarrë një nismë për themelimin e Lëvizjes Konservatore Shqiptare, e cila do të jetë një parti politike që synon të përfaqësohet në Parlament në zgjedhjet e ardhshme. Ajo shpjegoi përse kjo nismë vjen pikërisht në këto momente, që e djathta në Shqipëri është në krizë dhe PD po copëtohet. Kokalari tha se konservatorizmi në vendin tonë nuk ka ekzistuar, por se njerëzit janë të interesuar për një lëvizje konservatore. “Ka shumë mundësi që të mos ketë ekzistuar fare, në vend që të themi se ka vdekur. E kanë vrarë edhe kur ka dashur të ngrejë kokën, konservatorizimi i vërtetë, ose e djathta e vërtetë. Mund të jetë abuzuar me fjalën të djathtë, apo e qendrës së djathtë. Në Shqipëri ka një frymë goxha konservatore, nuk është e gjerë por ekziston. Themelet ishin futur. Sheh njerëz në Shqipëri që ishin pro Trump”. Në vijim ajo shtoi se i ka bërë përshtypje që e donin një lëvizje të tillë, donin njerëz që nuk kanë qenë në politikë më parë, pasi sipas saj këtu e djathta nuk ka ekzistuar kurrë. “Mund të ketë patur elemente, si PD dhe në lëvizjet e tjera, por që të kishte diçka të konsoliduar dhe të fortë, nuk ekzistonte. Ndaj mendoj se ka ardhur koha ta fillojmë. Njerëzit janë mësuar tani me fjalën konservatorizëm, që e futëm dy vjet përpara. Janë mësuar me fjalën primare. Por, e kanë abuzuar shumë. Duhet ndërtuar ashtu siç duhet, nuk do të jetë e lehtë por kam përshtypjen që do ja arrijmë”.



