Vite më parë, skandali seksual që përfshiu Shtëpinë e Bardhë bëri bujë në të gjithë botën. Praktikantja Monika Levinski kishte pasur një marrëdhënie me presidentin Bill Klinton, i cili e mohoi publikisht këtë fakt pasi filloi të përflitej në media.
Por Levinski kishte ruajtur një fustan, në të cilin u gjet material gjenetik i presidentit të SHBA-ve, një fakt para të cilit Klinton u dorëzua dhe kërkoi falje se kishte gënjyer.
Rreth 20 vjet më pas, ky fustan rikthehet sërish në vëmendje. Kësaj here, ai që e kërkon është një punëtor ndërtimi. Danney Lee Williams Jr., 30 vjeç, pretendon se është djali biologjik i Bill Klintonit.
I biri i një prostitute, e cila pretendon se ka pasur lidhje me Klintonin, thotë se fustani i Levinskit mund të japë përgjigjen përfundimtare. Ai e ka kërkuar këtë fustan me pretendimin se materiali i tij gjenetik do të përputhet me atë që shumë vite më parë u gjet te “fustani i mëkatit”.



