Ish-kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij në Kuvend, foli për gjenocidin serb në Kosovë, duke kërkuar miratimin e rezolutës.
Rama replikoi me Bashën, duke thënë se “këta nuk i përmendin dot emrin Thaçit”, duke shtuar se për 30 vite Kosova dhe viktimat e spastrimit etnik janë përdorur për llogari të pazarit të Tiranës.
Basha:
Ndër vite ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të manipuluar faktet dhe për t’iu ikur të vërtetave, siç ka ndodhur me raportin e Dick Marty-t. Nuk është rastësi që pasi krijuan një tollovi të madhe, hapi i fundit ishte planifikimi për eliminimin fizik të Dick Marty-t, për të fshehur gjurmët dhe fajësuar shqiptarët. Por e vërteta nuk zhbëhet, ajo është shkruar prej gjakut të të rënëve në mbrojtje të shqiptarëve nga shfarosja. Lufta e UÇK pati në krah NATO-n dhe SHBA-në sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah vendet demokratike sepse ndaj tyre po kryhej spastrim etnik. Ky parlament s’duhet të ketë asnjë ngurrim, për të folur qartë dhe për të votuar. Makineria e Millosheviçit ka kryer spastrim etnik në Kosovë. Dënimi i gjenocidit serb në Kosovë nuk ka për qëllim që të mbetemi pengje të së shkuarës, por për t’i hapur rrugën të ardhmes. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë sado të fshihet pas banalitetit të gënjeshtrave është një amnisti ndaj të shkuarës.
Rama:
A e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i PD-së. Dëgjuar ndonjë fjalë për Dick Marty-n, për UCK-në, Hashim Thaçin, për poshtërsinë e akuzës për trafik qenieve njerëzore, jo. Dëgjuat vetëm për Millosheviçin dhe mua. Po pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë. Ndërkohë që këtu kemi ardhur për gjë tjetër, s’kemi ardhur të bëjmë atë që këta kanë bërë sa herë iu është dashur Parlamenti dhe Kosova si samar, kur s’kanë pasur ç’ti bëjnë gomarit. Asnjë fjalë për rezolutën, që është fillimi i një beteje të vërtetë reale, dhe jo një komunikim me veten. Shqipëria është sot në tryezën e KS dhe s’mund ta bartë kargjozllëkun e një politike që për 30 vjet në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit, ka përdorur Kosovën, viktimat e spastrimit etnik, për llogari të pazarit të Tiranës. Këta nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thaçin. Këta Kosovën e ndanë vet kur i çonin naftë asaj makinerie që bënte spastrim etnik. Kështu i ka mësuar baca nga i cili janë ndarë. Po tani i ka ndarë Amerika.



