
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se tri projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen me 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ec në rrugën e saj”.
"Nuk kemi arritur që çdo qeverie anëtare të NATO-s, t’ua shpjegojmë të vërtetën e transformimit të FSK-së. Por, ne i kemi plotësuar ato kushte bazike të sqarimeve për të ecur përpara me ushtrinë tonë, pra i kemi plotësuar. Me këtë jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik e ardhmja jonë me NATO-n, por përkundrazi. Ne nga ata që absorbojmë siguri, në të ardhmen do të ofrojmë siguri", tha Harandinaj.
Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.
Komentet e Haradinajt pasojnë deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili të mërkurën e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të "përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës".
Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.
Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.
Por më pas shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, por, pa bërë detaje se si është përgjigjur Stoltenberg deklaratave për transformim të FSK-së.
Stoltenberg ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për t’i njoftuar me rezultatin e takimit të djeshëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku është diskutuar edhe për nismën për krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Megjithëse, në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se dy shteteve iu është kërkuar të tregohen të përmbajtur si dhe që plani për transformim të FSK-së mund të ketë pasoja negative, këtë nuk e ka përmendur kryeministri i Kosovës kur ka shkruar për bisedën.
“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar në profilin zyrtar në "Facebook" Haradinaj.



