Regjisori Kastriot Çipi deklaroi në emisionin “Bilardo” në MCN TV se Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri, jo vetëm zgjedhor, por edhe politik.
Çipi thekson se është pro drejtimit kolegjial dhe jo individual të institucioneve. Në këtë kontekst, ai thotë se “Shqipëria s’duhet të ketë as prokuror të përgjithshëm, as President, as kryeministër”.
Ky popull ka nevojë për një sistem që i garanton votën ‘de facto’, jo ‘de juro’. Jo vetëm sistemi zgjedhor, por edhe politik. Të gjitha institucionet që përbëjnë demokracinë, duke filluar nga Kushtetuta. Duhet një shtet me Republikë Parlamentare. Unë jam kundër drejtimit individual në çdo institucion. Madje po të më pyesësh mua Shqipëria s’duhet të ketë as prokuror të përgjithshëm, as President, as kryeministër. Funksionojmë me këshill të lartë prokurorie. S’ka nevojë të ketë një Avokat të Popullit. Nga institucionet individuale të kalohet te institucionet kolegjiale. Ndryshimi i dytë është që këta të jenë të zgjedhur, jo nga Parlamenti, por direkt nga qytetarët. Parlamentin e kemi për të bërë ligje. Por qytetarët duhet të kenë të drejtën që sa herë këto ligje s’u shkojnë përshtat, të kërkojnë t’i shfuqizojnë me referendum.
Nëse vazhdon kjo situatë diku nga viti 2050, Shqipëria do bëhet siç ka thënë Bismarku dikur, shprehje gjeografike. Do jetë pakësuar dhe plakur kaq shumë popullata, saqë do jetë e paaftë të shtohet më, do ketë arritur në pikën e vdekjes”.



