Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë.

Duke iu referuar një shprehjeje të Sllobodan Millosheviçit sipas të cilit, “nëse nuk ka kufomë, nuk ka krim”, Kurti tha se e njëjta strategji po ndiqet edhe sot nga autoritetet serbe.

Sipas tij, qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për gjetjen e personave të zhdukur dhe për këtë kanë nisur përgatitjet për gërmime në disa lokacione të Serbisë.

“Sivjet janë bërë 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Forcat e Serbisë kryen mijëra masakra dhe zhdukje me dhunë të popullit të Kosovës. ‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e serbëve për krimet e kryera në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga pasardhësit politikë të Millosheviçit në Beograd”.

Këtë javë kanë filluar përgatitjet për gërmime në Serbi. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave, siç jemi dakorduar edhe në Bruksel.

Gjatë luftës së Kosovës janë zhdukur 1 585 persona.