Mijëra pensionistë për vite zvarriten nëpër gjykata, ku dosjet pas zvarritjes nëpër apele, përfundojnë në Gjykatën e Lartë.
Duke folur për këtë çështje në “MCN Economy” avokati Idajet Beqiri tha që sistemi gjyqësor është në kolaps të plotë.
Ai vë në dukje po ashtu se trupa e gjyqtarëve është e paktë, ndërsa shton se duhet ndryshime në legjislacion.
"Është shifër skandaloze, shumë e rëndë. Do të thotë ‘de facto’ që sistemi gjyqësor është në kolaps të plotë dhe s’ka dritë. Dëgjuat këto ditë KLGJ-në që ka bërë një strategji, për fatin e keq e kanë gjetur zgjidhjen te mbingarkesa e gjyqtarëve, dhe do t’i heqin këto dosje të prapambetura, deri në 2028-2030 do arrihet në normalitet. Por janë fjalë në ajër. Gjyqtarët sot janë të mbingarkuar, të mbytur, lërë me të pretendosh që t’i ngarkosh me dosje të tjera. Kjo vjen thjesht dhe vetëm sepse trupa gjyqësore është e paktë, nga 78 gjyqtarë kemi 28 në trupën e Gjykatës së Apelit. Kërkon një impenjim të gjitha strukturave, duke përfshirë brenda domosdo Ministrinë e Drejtësisë. Do impenjim të jashtëzakonshëm nga KLGJ, KLP, Inspektori i lartë i Drejtësisë, dhe një impenjim serioz nga ligjvënësit, Parlamenti i Shqipërisë. Ka nevojë për ndryshime në legjislacion. Po ngelëm vetëm te magjistratët, plaga do vijë edhe gjithmonë më keq do të bëhet.
Në gjykatën e Apelit Administrativ 80 për qind e gjyqtarëve mungojnë. Këta e mbingarkojnë veten e tyre. Po të shikosh vendimet e tyre janë qesharake, vendim 80 faqe. Dhe thelbi i konfliktit që do të zgjidhësh është vetëm 13 rreshta. Kot shkruajnë 80 faqe. Janë super të ngarkuar se shkruajnë kot, nuk shkruajnë atë që duhet shkruar, nuk arsyetojnë atë që duhet arsyetuar”.



