
Nënë Liza tashmë e kthyer në një personazh nga protesta e 5 majit, në studion e ‘Të Pa ekspozuarit’ ka deklaruar se janë lajmëruar se do ju prisheshin banesat vetëm 5 ditë para. Ajo tregon se si në 19 janar ka ardhur policia dhe teksa ajo ka bërë rezistencë ata kanë shtyrë njërin nga djemtë e saj dhe tjetrin e ka futur në fugonin e policisë.
Teksa rrëfente ato momente ajo tha se nuk i kanë lejuar që të marrin asgjë nga banesa edhe kur ajo ka kërkuar të merrte ilaçet dhe rrobat e vdekjes të cilat ishte kujdesur ti blinte dhe ti ruante për atë ditë sipas traditës.
5 ditë para na lajmëruan. Në 19 janar erdhi turma e policisë sikur të kishim qenë në Afganistan. Djalin e madh e tërhoqën nga krahu, të voglin e futën në fugon, i thash të marr ilaçet dhe të brendshmet e mia të marr dhe rrobat e mia të vdekjes, dhe nuk më lanë asgjë të merrja. Mbushën nja dy makina dhe ato nuk e di nga i çuan. Ky është shteti shqiptar se po të ishte puna për luftë i merr djemtë e mi dhe i çon në Afganistan. Nuk më lanë të merrja asgjë vetëm rrobat e veshura. Nga ajo ditë kam jetuar te një dhomë e rrënuar në shtëpinë time pa drita dhe ujë. Kërkojnë të dhurojmë shtëpinë. Sa na kanë shembur shtëpitë na kanë çregjistruar dhe nga gjendja civile emrat.



