
Kryetari i KQZ-së Klement Zguri në një deklaratë për shtyp u shpreh se të dhënat e ditës së dielë të publikuara nga ky institucion për pjesëmarrjen në votimet e djeshme kanë qenë jo zyrtare po të marra me telefon nga komisionerët e QV-ve dhe KZAZ-ve.
Por sipas tij sivjet ka ndodhur një rast i paprecedent pasi këto të dhëna janë marrë nëpërmjet telefonit dhe jo elektronikisht si zgjedhjet e shkuara.
“Të dhënat zyrtare janë në tabelat përmbledhëse. Në rast se tabelat janë kontradiktore janë dy tregues , ose paaftësie ose parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në këtë proces do të hetohet në vijim.
Kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore që KQZ të vihet në lëvizje. Saktësia e shifrave është një çështje vendimtare për cilësinë e 30 qershorit, ndaj KQZ ti trajtojë me prioritet dhe të hapë hetim administrativ“, tha Zguri.
Deri më tani janë regjistruar mospërputhshmëri në 12 bashki të vendit ku kandidatët socialistë kanë marrë qindra vota më shumë nga pjesëmarrja e publikuar dje nga KQZ.
KQZ sqaron mospërputhjet në shifrat e votimeve: Këto nuk janë rezultatet përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me një reagim lidhur me mospërputhjet që po konstatohen në shifrat e pjesëmarrjes dhe votave në kutinë e votimit.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha se bëhet fjalë për të dhëna paraprake të cilat nuk mund të pretendohen për saktësi absolute. Kjo e fundit mund të arrihet vetëm nëse i tërë procesi do të ishte tërësisht përmes teknologjisë.
DEKLARATA E PLOTÊ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson të sqarojë se, sikundër është theksuar si nga zëdhënësja dhe drejtuesi i KQZ, të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në faqen onlinë të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit.
Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit.
Kjo është një vendimmarrje shumëvjeçare e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe vendimmarrjes së KQZ-së ndër vite që, në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, ka zgjedhur këtë fundit, në mënyrë që ti mbajë qytetarët të informuar, por pa pretenduar saktësinë absolute, e cila vjen vetëm në përfundim të procesit.
Ky është një fenomen i cili është evidentuar në çdo proces zgjedhor, por duke qenë se vëmendja kryesore ka qenë tek rezultati, ndërkohë që aktualisht është edhe tek pjesëmarrja, këtë radhë po evidentohet me dukshëm.
Kjo problematikë e mbarsur mund të zgjidhet vetëm në rast se procesi i votimit bëhet tërësisht përmes teknologjisë.



