Me monumentin e Skënderbeut në sfond, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, teksa u është prezantuar shqiptarëve ka renditur tri prioritetet e misionit të saj në Shqipëri
Në video-mesazhin e shpërndarë në faqen zyrtare të Facebook-ut të ambasadës së SHBA-ve vihet theksi te partneriteti në fushën e sigurisë si dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Së pari, do të punoj për të thelluar marrëdhënien tonë në fushën e mbrojtjes, që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe e aftë. Së dyti do të vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet tuaja për anëtarësim në BE. Aspiratat evropiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin”, shprehet Kim.
Jo pak rëndësi për ambasdoren e re të Shteteve të Bashkuara kanë investimet amerikane në Shqipëri.
“Së treti do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e SHBA-së në Shqipëri në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët”, thotë ajo.
Mesazhin e saj drejtuar shqiptareve, ambasadorja amerikane Yuri Kim e mbyll me ftesën drejtuar atyre për të komunikuar, ndarë mendimet dhe idetë sëbashku me të.



