Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, iu përgjigj në Kuvend deputetit të PD, Tritan Shehu, në një interpelancë në lidhje me skandalin te Onkologjiku. Koçiu vuri në dukje se mbi mjekët nën hetim do të rëndojë jo vetëm pesha e ligjit, por edhe barra morale e turpit.

“Ndjej detyrën morale për të cekur sërish çështjen e famshme të Onkologjikut. Padiskutim që abuzimi i rëndë me detyrën, i një grupi mjekësh, farmacistësh, e stafi shëndetësor, që kanë luajtur me jetën e të sëmurëve, duke kapërcyer çdo lloj norme profesionalizmi dhe ndjesie njerëzore, është një akt i një sjellje që ka vetëm një përgjigje, ndëshkimin ligjor, ndëshkimin administrativ dhe moral. Çdonjëri nga ata burra dhe gra për të cilët MSH ka nisur hetim administrativ, do mbajë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe e moralit, e turpit”.
Ajo paralajmëroi ndryshime në ligjin e Urdhrit të Mjekut, që do të bëhen prezente në Kuvend.
“Për të amenduar ligjin e mjekut, infermierit, të cilëve do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do të bëjnë ndërhyrje dhe sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë”, shtoi ministrja.



