54 ditë protestë, Bushati: Ramën e mban burgu, ia ka hequr vetes mundësinë për një zgjidhje paqësore

54 ditë protestë, Bushati: Ramën e mban burgu, ia ka hequr vetes mundësinë për një zgjidhje paqësore

Në 54 ditët e protestës së qytetarëve u ndal analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku analizoi zhvillimet politike të javëve të fundit, ndikimin që sipas tij kanë prodhuar protestat në opinionin publik, si edhe reagimin e qeverisë përballë tyre, duke argumentuar se lëvizja qytetare ka ndryshuar perceptimin mbi pushtetin dhe ka nxjerrë në pah, sipas tij, natyrën autoritare të qeverisjes.

 

Bushati u shpreh se protestat kanë prodhuar një efekt të papritur, duke rrëzuar bindjen se shoqëria shqiptare ishte dorëzuar përballë pushtetit. Sipas tij, mobilizimi i qytetarëve tregoi se ekziston një numër i madh njerëzish që kërkojnë liri, të drejta dhe barazi, ndërsa në të njëjtën kohë protestat, sipas analizës së tij, kanë dëmtuar imazhin politik të kryeministrit Edi Rama.

 

Këto dy muaj na surprizuan të gjithëve, me faktin e efektit surprizë që krijuan. Kam qenë nga ata që isha i bindur se vegjetojmë në autokraci. Tregoi se ka një masë të madhe njerëzish, ndryshe nga çfarë thoshte Rama nuk ju ngrefet, tregoi se duan të drejta, liri, barazi. Efekti i dytë ishte që, në një mënyrë shumë të habitshme, e plaku, e zvogëloi dhe e karikaturizoi fytyrën e këtij pushteti, që është Edi Rama. Rama krahasohej deri dje me Berishën, sot krahasohet me qytetarët. Shikoni fjalorin, lëvizjet, dhunën, duket më keq se liderët e Byrosë në vitin 1990. Mund të qëndrojë në karrige, por është një lider pa diskurs. Një njeri që gjen agjentë nga Irani, Rusia e vende të tjera, ndërkohë që BBC, CNN, The Guardian dhe Le Monde tregojnë një histori krejt tjetër.

 

Analisti u ndal edhe te qëndrimi i një pjese të medias dhe intelektualëve pranë mazhorancës, për të cilët tha se protestat kanë zbehur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut, pasi sipas tij ata janë pozicionuar kundër lëvizjes qytetare.

 

E treta, e plaku edhe ia humbi totalisht besueshmërinë një lloj kaste intelektualo-mediatike që qëndronte rreth Ramës. Ata që e mbronin, e mbronin me argumentin se nuk donin rikthimin e Sali Berishës. Pra, Rama është i keq, por përballë Saliut është më i pranueshëm. Sot, kur të gjitha këto skalione mediatike, të paguara nga Belinda te inceneratorët, treguan se janë kundër protestës, u zverdhën në sytë e publikut si ushtarë të Ramës.

 

Duke komentuar përplasjet mes protestuesve dhe policisë, Bushati tha se reagimi i autoriteteve ka treguar, sipas tij, karakterin autoritar të shtetit dhe paralajmëroi se përshkallëzimi i dhunës e bën gjithnjë e më të vështirë zgjidhjen e krizës politike përmes dialogut.

 

Kjo protestë tregoi se jemi përballë një autokracie të dhunshme. Kur shalonin në dru protestat e Bashës, ata të 5 Majit apo të Unazës së Re, thuhej se ishte opozitë e vjetër apo zaptues pronash. Por kur ushtrohet dhunë ndaj disa të rinjve që godasin me vezë, kur maksimumi shoferët do të lanin makinat e deputetëve, dhe ti u tregon shkop gome, i tërheq zvarrë, përdor spraj dhe gaz vetëm sepse është ndotur makina e një ministri, atëherë e kupton se përballë ke një shtet autoritar dhe të dhunshëm. Dhuna po përshkallëzohet dhe kjo tregon se, sado paqësore të jetë protesta, nuk do të ketë zgjidhje paqësore të kësaj krize. Rama e ka problemin me veten. Edi Ramën e mban burgu. Ai e di që ose do të jetë në karrigen e kryeministrit, ose pranë Erion Veliajt. Ia ka hequr vetes mundësinë për një zgjidhje paqësore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy