Presidenti i KOKSH Fidel Ylli rrëfeu në emisionin "Bilardo" në MCN TV se ai u përfshi në mundje në moshë të vogël, por pa dijeninë e të atit.
Ylli tregon se babai e kishte dërguar në Pallatin e Pionerit ku merrej me trompë. Megjithatë Fidel Ylli do të apasionohej pas sportit të mundjes dhe do ta ndiqte derisa u shpall kampion kombëtar.
Pikërisht pasi Fidel Ylli u shpall kampion kombëtar në mundje i ati u vu në dijeni të sportit që kishte ushtruar i biri.
Unë e kam nisur sportin që 9 vjeç e gjysmë, pa mbushur 10. Prindërit më kishin futur në Pallatin e Pionerëve. Kam qenë trompist, i bija trompës. Kam qenë i mirë. Profesori më tha që buza jote është për trompë. Trompës nuk mund t’i biesh dot nëse nuk rri 20-30 minuta të bësh ushtrime. Në klasën e pestë, dukë bërë një ndeshje futbolli...Kam qenë fëmijë shumë i shkathët, por i mirë me mësime. Me një shok klase, që dikur ka qenë drejtor Policie, Artan Didi, kemi qenë shokë banke, edhe ai ka qenë nxënës me 10-ta...duke luajtur futboll më godet, çohem unë për t’i rënë me grusht. Një djalë më i madh na ndan dhe thotë mos u zini këtu, hajdeni te klubi i Tiranës dhe bëni ndeshje atje. Unë instinktivisht i bëra një kapje këtij, një krahë-qafë, dhe trajneri thotë: Stop! Kush ta ka mësuar këtë kapje?! Nesër-më tha-ti do vish të marrësh materialet sepse ti je për këtë sport. Gjithë qejf, mora materialet dhe shkova në shtëpi. Më thotë mamaja: Çfarë janë këto?! I thashë kam hyrë në mundje. 'Të vrau yt at!'-më tha. E gënjeva babain i thashë se jam në klasa atletike. Gjatë kësaj kohe tre herë në javë shkoja në trompë dhe tre herë në mundje, pa e ditur babai. Në vitin e dytë bëhet Kampionati Kombëtar në Tiranë dhe dal mundësi më i mirë, kampion kombëtar, dhe mundësi më i mirë i aktivitetit. Një nga shokët i thotë babait: Urime për djalin se t’u bë kampion. Ç’kampion-thotë,- e ke dëgjuar gabim. Ore djalin-i thotë-e pashë në TV. Motra ime e madhe shkon te dollapi im dhe shikon: 'Fidel Ylli kampion kombëtar, Fidel Ylli mundësi më i mirë i aktivitetit” dhe ia jep babait duke i thënë: 'Të qenka bërë djali mundës!' "
Ndër të tjera Ylli tregon se miku dhe rivali i tij në sport, Artur Kreka, i vendosi të birit emrin Fidel Ylli, pasi ky i fundit u shpall kampion.
Kam pasur dy-tre rivalë të fortë. Rivali im kryesor i pari ka qenë Artur Kreka, që sot nuk jeton më, shok i imi, që kur vinte në Tiranë flinte në shtëpinë time dhe të dy dilnim nga Pallati i Sportit dhe ndesheshim si gladiatorë! Kur shkoja në Korçë bëhej e njëjta gjë. Në 82’ unë shpallem kampion dhe ky më thotë: 'Fidel unë kam nusen shtatzanë, do më japësh lejen t’i vë emrin djalit Fidel'. Shok në jetë, ndesheshim si gladiator, dhe i jepnim dorën njëri-tjetrit. Ka qenë edhe një sportist i Flamurtarit, Mustafa Abazi, që ishte i jashtëzakonshëm. Kur vajti në Greqi, doli jo vetëm kampion Greqie, por i treti në Mesdheu.



