
Pesë punonjës të stafit teknik të minierës në Bulqizë ku humbi jetën një minator një ditë më parë, janë vënë në prangat e policisë, të akuzuar se nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën F. Sh., 66 vjeç.
Minatori dyshohet se humbi jetën si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri.
Efektivët e policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se të ndaluarit, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.



