
Besimtarët myslimanë festojnë këtë të mërkurë festën e Fiter Bajramit. Në Tiranë, siç është bërë tashmë traditë, besimtarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin.
Edhe në qytetet e tjera, falja u bë në sheshe dhe xhamitë kryesore.
Këtë ditë të veçantë për besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit e ka uruar dhe politika.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.
Mirëmëngjesi, gëzuar Fitër Bajramin.
Presidenti Bajram Begaj, shpreh urimet që kjo festë t'i gjejë besimtarët myslimanë me afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.
Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira. Kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!
Në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë besimtarët gëzuar Fitër Bajramin.
Pas një muaji reflektimi dhe sakrifice, ju uroj gëzuar Bajramin me zemrat plot begati, paqe dhe harmoni në familjet tuaja.



