
Nis vaksinimi për të dënuarit. Fushata ka nisur sot nga IEVP “Jordan Misja”, për kategorinë e të dënuarve me sëmundje kronike dhe për grupmoshën mbi 55-vjeç.
Paralelisht, vaksinimi po kryhet edhe në IEVP “Ali Demi” për gratë e dënuara.
Ministra e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, shprehet se ky proces ka filluar pas vaksinimit të trupës policore.
“Një lajm i mirë për sistemin penitenciar. Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturat e saj shëndetësore filloi vaksinimi kundër COVID-19 të personave të dënuar. Vaksinimi ka filluar në IEVP “Jordan Misja” për kategoritë e të burgosurve me sëmundje kronike dhe atyre mbi 55 vjeç dhe në IEVP “Ali Demi” për gratë e dënuara.
Ky proces i sapofilluar pas vaksinimit të trupës policore, do të vijojë për të mundësuar edhe më tej lehtësimin e masave për t’iu kthyer normalitetit në institucione”, shkruan Gjonaj në rrjetin social “Facebook”.



