
Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së. mocionin për një "marrëveshje të re për Shqipërinë", duke deklaruar se dokumenti nuk është vetëm i saj, por një nismë e hapur për të gjithë anëtarët e PS-së.
Gazetari Mariglen Kume, i ftuar në emisionin "MCN Live", tha se Spiropali tashmë ka hapur një zyrë pune në zonën e ish-Bllokut, por sipas tij, ajo nuk ka një grup të konsoliduar deputetësh që ta mbështesin këtë lëvizje brenda PS.
Informacionet tregojnë fillimisht për zyrën e punës që ka hapur në Bllok. Por duhet ta analizojmë më tej.
Nëse flasim për pakënaqësitë që ekzistojnë te deputetët e PS-së, kjo tashmë është kthyer në një fenomen.
Ka deputetë që janë të pakënaqur, që mendojnë se nuk janë vlerësuar sa duhet për peshën elektorale që kanë mbajtur.
Brenda grupit parlamentar të PS-së ka nisur të artikulohet pyetja nëse këta deputetë janë me Spiropalin apo jo.
Nga informacionet që kam, jo, Elisa nuk ka një grup deputetësh me mandat politik për të bërë këtë lëvizje, apo siç e ka quajtur ajo, për ta bërë këtë debat brenda grupit të PS-së.
Kjo nuk është kapitalizuar.
Duke komentuar përmbajtjen e draftit të dorëzuar nga Spiropali, Kume tha se ai nuk sheh një reflektim të mjaftueshëm për përgjegjësitë e mazhorancës pas 13 vitesh në pushtet, pos një shprehje pakënaqësie personale.
Nëse e marrim në analizë atë që ka depozituar znj. Spiropali, pas 13 vitesh në pushtet, ajo nuk mund ta përjashtojë veten nga përgjegjësitë si pjesë e grupit parlamentar të PS-së.
Ajo ka pasur përgjegjësitë e saj politike.
Në dokument mungojnë, referenca për disa prej problematikave të shfaqura gjatë qeverisjes së PS-së.
Në këtë draft ajo nuk thotë se ku ka dështuar pushteti gjatë këtyre 13 viteve.
Pse nuk flet për problemet e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit? Elisa ka qenë deputete dhe një figurë e afërt me mazhorancën, nuk ka qenë një deputete periferike.
Ajo që ka bërë nuk më duket një reflektim i sinqertë, por më shumë një shprehje mërzitjeje dhe ndjesie se nuk po vlerësohet më politikisht.



