Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg se zgjedhjet në Shqipëri po shkatërrohen nga dy fenomene madhore: partia-shtet dhe narkoshteti.
Berisha akuzoi se krimi i organizuar ka shndërruar drogën në vota dhe votat në mbrojtje politike, duke përmendur deputetë të mbështetur nga kartele droge dhe bllokimin e drejtësisë.
Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama për pengimin e hetimeve dhe paralajmëroi për kapjen e institucioneve dhe keqpërdorimin e të dhënave shtetërore nga grupet kriminale.
Mendoj se çështja e zgjedhjeve në krizë, por edhe jashtë krizës, ka si pyetje më themelore këtë: a kemi zgjedhje apo një farsë zgjedhore. Zgjedhjet i shërbejnë shtetit të së drejtës; farsa zgjedhore ka efektin e kundërt. Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet.
Njëri prej tyre është shteti-parti ose partia-shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit, se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një partie-shtet. Problemi i dytë madhor është narkoshteti. Narkoshteti është një gjendje në të cilën droga dhe krimi shndërrohen në vota, dhe votat më pas shndërrohen në krime. 28 deputetë kanë hyrë në parlament të mbështetur nga kartelet më të fuqishëm të drogës.
Pas kësaj, atyre iu dhanë 450 leje për hotele, motele, ndërtime dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre u përdorën për të bllokuar tërësisht Prokurorinë. Edi Rama; Kryeministri, i quajtur Ramaduro i Madh, bllokoi iniciativën e Prokurorisë. Kjo gjë po ndodh me AKSHI-n, Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë. Të gjitha të dhënat po eksportohen te bandat kriminale dhe banditët.



