Me votë unanime, Mitrovica e Veriut u bë anëtarja e 35-të e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të këtij entiteti.
Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në A.K.K ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhur pas kërkesës së Mitrovicës së Veriut, e cila marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t'u anëtarësuar në Asociacion.
Pas anëtarësimit, reagoi edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqi.
Jam i lumtur për këtë anëtarësim. Falënderoj delegatët e Kuvendit të Asociacionit! Do japim kontributin tonë në sfidat dhe adresimet problemeve të qeverisjes lokale.
Kërkesa për anëtarësim u bë më 30 qershor nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Ajo u dërgua pranë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe u konfirmua pas dy javësh shqyrtimi të dosjes. Këshilltarët komunalë u shprehën se ky vendim ishte i domosdoshëm që pushteti lokal të jetë funksional.
Më herët, Lista Serbe që deri para zgjedhjeve të 23 prillit ka udhëhequr Mitrovicën e veriut, refuzonte t’i bashkohej Asociacionit të Komunave të Kosovës. Lista Serbe kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nga 38 Komuna që ka Kosova, 34 prej tyre janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Asociacioni i komunave të Kosovës është organizatë jofitimprurëse, e themeluar në vitin 2001 dhe ka në themel rregullat e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen vendore.



