
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës ka shkarkuar drejtorin e KESH-it, Agron Hetoja. Ky i fundit zëvendësohet në detyrë nga Benet Beci, i cili deri tani ka drejtuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Më parë, Beci ka punuar në institucione financiare të ndryshme si Banka Kombëtare Tregtare, Fondi i Financimit Rural, dhe Unioni i Shoqatave të Kursim Kredisë. Gjithashtu, ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.
Ndryshimi i drejtuesit të KESH-it vjen në vazhdën e lëvizjeve që nisën javën e kaluar në disa sektorë që janë nën varësinë e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës. Drejtori iARRSH-së dhe ai i OST-së ishin dy drejtuesit e parë që u shkarkuan javën e kaluar, pasi Balluku mori drejtimin e kësaj ministrie. Largimi nga detyra i Afrim Qendros dhe Klodian Gradecit, pas skandalit me tenderat e fituara nga firma DH Albania, u pasua nga shkarkimi i drejtorit të Portit të Durrësit, Afrim Bakaj.



