Denis Dyrnjaja
Bankers Petroleum është një nga rastet më tronditëse që ekspozon përmasat reale të abuzimit dhe kapjes së shtetit në Shqipëri. Nga administrata tatimore te sistemi bankar, nga zyrat ligjore me lidhje politike te vetë media, ky rast ka nxjerrë në pah një rrjet të tërë kompromisesh, ku heshtja është paguar dhe mesa duket vazhdon të paguhet me para, ndërsa drejtësia është shmangur për vite me radhë me ndikim dhe klientelizëm.
Që nga viti 2004, Bankers Petroleum ka zhvilluar një aktivitet të gjerë në sektorin e naftës në Shqipëri, me një bilanc total financiar mbi 20 miliardë euro, por duke mos dhënë kontributin e detyrueshëm ligjor për buxhetin e shtetit përmes një historie të errët shmangiesh fiskale. Hetimi për rimbursimet fiktive të TVSH-së, ka zbuluar se kompania ka manipuluar sistemin fiskal shqiptar në bashkëpunim me aktorë të brendshëm, administratorë, zyrtarë publikë dhe institucione financiare. Pra për të arritur në këtë skemë abuzive përfitimi kanë bashkëvepruar disa aktorë ndërinstitucionalë, ligjorë, bankarë e mediatikë.
Studio ligjore “H&A” e lidhur me Alket Hysenin, ish-deputet i PS dhe ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ashtu si edhe studio ligjore Çerekja sh.p.k” dhe Halimi Tax & Law (në pronësi të Eduart Halimit), ish ministër drejtësie janë nga përfituesit kryesorë të pagesave miliona euroshe të dyshimta që Bankers ka financuar për asistencë juridike, por nga vlera e fryrë që kapin lënë dyshime të forta për një skemë pastrimi parash me miliona euro. Studio ligjore “H&A”e ish deputetit socialist Alket Hyseni ka përfituar rreth 6.5 milion euro me faturime të fryra shërbimesh ligjore, Studio Ligjore Çerekja rreth 4.5 milon euro dhe studio ligjore Halimi Tax & Law mbi 2.5 milion euro. Pra vetëm përmes zyrave ligjore janë qarkulluar mbi 13 milion euro.
Një tjetër element tepër interesant është edhe roli i bankave të nivelit të dytë, konkretisht Raiffeisen Bank, e cila ka kryer një sërë transfertash të mëdha për llogari të Bankers, përfshirë pagesat ndaj zyrave ligjore edhe në periudha kur kompania ishte objekt hetimi nga tatimet. Kjo hedh hije të forta mbi standardet ligjore të bankare dhe statusin e tyre të transparencës dhe implikimit te rëndë në paligjshmëri. Më shumë se mungesë vigjilence mënyra sesi është vepruar të lë dyshimin për një bashkëpunim të heshtur e paramenduar? Kjo mbetet të zbërthehet nga hetimi, por në çdo rast roli i Raiffeisen Bank por edhe i bankave në tërësi del se komprometohet rëndë. Kjo për faktin se nëse një bankë kryen një herë një veprim të tillë, cilat janë garancitë që nuk e ka metodologji pune këtë skemë abuzive për përfitime?!
Administratori i Bankers në Shqipëri së bashku me disa drejtues financiarë dhe ligjorë janë arrestuar e vënë nën akuzë tashmë për veprimtari që lidhen me mashtrim ndaj shtetit shqiptar dhe përfitimin e dhjetëra milionë eurove TVSH në mënyrë të paligjshme. Hongping Xiao drejtor i përgjithshëm, Leonidha Çobo, ish-administrator, Ardit Kero ish-drejtor financiar, si dhe drejtues të tjerë të rëndësishëm të kompanisë po hetohen në grup për veprime të koordinuara me qëllim përfitimi dhe shmangie detyrimesh financiare. Dëmi miliona euro aq sa ka qenë dhe përfitimi personal për ta që kishin paguar veten me qindra mijëra euro.
Një tjetër aspekt komprometues i rëndë dhe jo për herë të parë në një skandal të përmasave të tilla, është edhe heshtja mediatike. Sigurisht ajo nuk ka ndodhur as rastësisht, as aksidentalisht. Ajo është paguar dhe shtrenjtë. Pavarësisht përmasave të skandalit, shumë media e kanë mbuluar me raportim minimalist ose aspak këtë çështje. Arsyeja? E kuptueshme financim përmes reklamave nga Bankers, që prej vitesh ka derdhur buxhete të majme për të ndikuar raportimet mbi ecurinë e kompanisë në favor të interesave te saj sidomos ne televizionet më me ndikim kur edhe televizionet kombëtarë nuk bëjnë përjashtim.
Duke parë kohështrirjen e Bankers si një kompani që vepron në Shqipëri që nga viti 2004, atëherë dhe politika dhe qeveritë kanë qenë në dijeni të kësaj grabitjeje të tmerrshme të pasurisë së shqiptarëve, por kanë heshtur dhe heshtja ose padija blihen. Deri tani vlera e kësaj heshtjeje të politikës nuk dihet dhe kjo meriton një hetim më vete. Dhe këtë hetim nuk mund ta kryejë më prokuroria e Fierit por SPAK-u sepse aty preken shumë ministra të linjës, që nga viti 2004 e deri më sot. Energjia dhe financat kanë edhe përgjegjësinë kryesore sesi një kompani si Bankers ka arritur të manipulojë për mbi dy dekada të gjithë sistemin nëpërmjet mashtrimit.
Përmes këtij rasti, është e qartë se në Shqipëri paraja informale nuk është më një fenomen në hije. Ajo operon hapur, blen institucione, orienton axhenda politike dhe mediatike dhe sfidon ligjin për interesa tërësisht jo publike, madje në favor të tyre. Bankers është rasti tipik që tregon si mund të përkulesh shtetin përmes influencës financiare dhe klientelizmit politik.
Rasti i Bankersit mund të konsiderohet pa frikë skema më e madhe e mashtrimit për përfitime, ku janë bërë bashkë politika e të dy partive kryesore që kanë qeverisur vendin, strukturave hetimore financiare, bankave dhe medias. Ndaj nëse ka një rast që duhet bërë shembull për ndëshkimin e paligjshmërisë, duhet të jete Bankersi dhe të gjithë minjtë që kanë zhvatur babëzisht paratë e shqiptarëve. Të parët dhe më fort duhen ndëshkuar ata që përfaqësojnë ligjin dhe kanë abuzuar me të përmes mashtrimit dhe së dyti bankat që shihen si garantore të sistemit jo bashkëautore në vjedhje. Le të nisë me Raiffeisen Bank drejtësia, më pas në radhë edhe të tjerët e të tjerat. Vendosja ne gjumë e këtij skandali do të thotë se diku përsëri janë paguar shumë para.
Diçka që nuk blihet me lekë blihet me më shumë lekë - thotë një shprehje popullore. A është ky rasti i heshtjes për Bankers?!



