
Prokurori special, Robert Mueller, ka lënë të hapur mundësinë e kërkimit të një mandati për të marrë në pyetje presidentin amerikan, Donald Trump, në lidhje me hetimin për dosjen “Russiagate”. Lajmin e bën të ditur "Washington Post", që i referohet një takimi në fillim të marsit mes prokurorit Mueller dhe avokatëve të presidentit. Një lëvizje e tillë mund të çojë në një konflikt historik në Gjykatën Supreme amerikane, që duket se e ka nxehur presidentin amerikan edhe për shkak të rrjedhjes së lajmit.
Në takimin në fillim ta marsit, avokatët e Trump-it kanë këmbëngulur që presidenti nuk ka asnjë detyrim për t’iu përgjigjur hetuesve federal në kuadër të hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Sipas “Washington Post”, Mueller është përgjigjur se në rast mospranimi nga ana e Trump-it, ai ka në dorë një letër tjetër: lëshimin e një mandati që e detyron atë të paraqitet para gjykatës.
John Dowd, i cili drejtonte skuadrën e avokatëve të Trump-it, raportohet ta ketë paralajmëruar Mueller-in se kjo nuk është një lojë. “Po i humb kohë presidentit amerikan”, citohet ai. Por më pas, mes avokatëve të Trump ka pasur debate në lidhje me strategjinë që duhet ndjekur në rast të kërkesës zyrtare për t’u marrë në pyetje.
Mueller u ka dorëzuar mbrojtjësve ligjorë të Trump-it informacione specifike në lidhje me atë që do t’i pyetet presidentit Trump. Një listë me 49 pyetje është përgatitur për presidentin amerikan.
Pyetjet nisin që prej postimeve në “Tuiter” e deri te marrëdhëniet me familjen dhe njerëzit më të besuar. Në qendër të shumë prej pyetjeve do të jetë shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn. Po ashtu, pyetje ka edhe për marrëdhëniet me sekretarin e Drejtësisë, Jeff Sessions.
Në listë ka pyetje edhe për takimin famëkeq të vitit 2016 mes djalit të Trump, Donald Junior, dhe emisarëve rusë që kishin premtuar shpërndarjen e disa lajmeve të rreme mbi rivalen në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton. Nën lenten e hetuesve figuron edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe përpjekja e tij për të vendosur komunikim të privilegjuar me Kremlinin gjatë periudhës së kalimit të detyrës nga njëri president te tjetri. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



