Eksperti i sigurisë Ilir Kulla mendon se kemi të bëjmë me një lojë apo intrigë të Moskës lidhur me akuzat për Vuçiçin se ai i ka shitur armë Ukrainës.
Duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” Kulla tha se Rusia po e bën këtë lojë që të bjerë presioni i Perëndimit mbi Presidentin serb dhe që ai të qëndrojë në pushtet.
“Shërbimi Sekret rus thotë që Beogradi s’është aleat i besueshëm sepse ka furnizuar Ukrainën me armatime që në fillim. Vuçiçi thotë po e kemi furnizuar, por jemi aleatët e Rusisë, fabrikat tona ushtarake kanë pasur nevojë të punojnë. Kjo bëhet në kontekstin e një situate ku po tentohet rrëzimi i qeverisë së Vuçiçit, për shkak të presionit të madh që nga Europa. Presioni është rritur për shkak të faktit që më 9 maj Vuçiçi mori pjesë në paradën e 9 majit në Moskë.
Duke qenë se pozitat e Vuçiçit janë dobësuar, dhe presioni duke u bërë gjithmonë e më i madh, Moska ka zgjedhur të bëjë një lojë që i leverdis edhe Vuçiçit, por që u leverdis edhe rusëve. Le ta shajmë pak Vuçiçin që të rritet besueshmëria e tij brenda. Interesi i Moskës është që mos bjerë qeveria e Vuçiçit. Rusët për ta ulur presionin nga Vuçiçi i bëjnë atë që i duhet pikërisht tani Vuciçit. Vuciçi është aktor i jashtëzakonshëm, me serbët flet sllavisht me Perëndimin fle anglisht. Kjo është intrigë e hollë e rusëve dhe serbëve”.



