Ligji i ri për mediat online kundërshtohet nga Avokati i Popullit. E njohur ndryshe si paketa antishpifje, ligji i ri ka hasur në kundështimin e grupeve të gazetarëve në vend, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare dhe opozitës. Kësaj oponence i është bashkuar edhe Avokati i Popullit. Në një njoftim për shtyp, Avokati i Popullit ngre shqetësimin e kompetencave që i jepen AMA-s.
“Procedura administrative e shqyrtimit të ankesave, e cila parashikohet në këtë propozim, nuk ofron garanci për një vendimmarrje objektive e të paanshme, në përputhje me detyrimin për respektimin e lirisë së medias për t’u shprehur. Veshja e një organi administrativ si AMA me kompetenca kuazi-gjyqësore nuk ofron garanci kushtetuese të mjaftueshme për paanshmërinë e këtij institucioni, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se Bordi i AMA zgjidhet nga Kuvendi, dhe është pikërisht ky organ i cili do të përzgjedhë edhe përbërjen e Këshillit të Ankesave, strukturë kjo e cila do të ketë në dorë vendimmarrjen në përfundim të shqyrtimit të ankimeve ndaj operatorëve të shërbimeve elektronike. Ndonëse në variantin përfundimtar të projekt-ligjit është parashikuar që përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit bazohet në rregullat e konkurueshmërisë, si edhe që ky Këshill do të ketë në përbërje juristë, vlerësojmë se nevojitet garanci që kapacitetet dhe përgatitja profesionale teknike e këtij këshilli të jenë në nivelin e duhur për të ushtruar funksionet e ngjashme me ato të një gjykate”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit rekomandon që të gjendet një mekanizëm/organ tjetër, i cili të kryejë këto funksione. Veçanërisht duhet të mbahet në konsideratë që ky organ duhet të jetë jashtë organit të AMA.
Po kështu, nga kjo nismë mbeten të paqarta një sërë çështjesh të lidhura me karakterin subjektiv të ankesës, të tilla si: (1) burimi për të kuptuar se lajmi është i rremë; (2) përcaktimi dhe matja e masivitetit të problematikës; (3) vërtetimi i lajmit të pavërtetë, niveli dhe kufijtë e tij; (4) provueshmëria e fajësisë për deklarimin e pavërtetë; (5) vërtetimi se janë kryer kërkime të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e lajmit apo informacionit para publikimit të tij; (6) rrethanat në të cilat do të mund të kryejë Këshilli i Ankesave një hetim të mirëfilltë për të konkluduar se rasti në fjalë përbën lajm të pavërtetë dhe deri në ç’masë ai është i rremë, se cila është masa e fajit, e pasojave dhe dëmit të shkaktuar.
Avokati i Popullit konkludon se ky projektligj nuk ofron garancitë e pranuara nga standardet ndërkombëtare për ushtrimin e rolit të medias dhe të gazetarëve si burime të indicies për hetime të mëtejshme në lidhje me çështje të caktuara dhe e konsideron atë të papërputhshëm me standardet ndërkombëtare.



