Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri të martën është shprehur se të ardhurat që ekonomia shqiptare do përfitojë nga turizmi sivjet do të jenë mbi një miliard euro më të ulëta krahasuar kjo me vitin e kaluar.
I ftuar në studion e lajmeve në televizionin TVT, Tomorri theksoi se kjo humbje është gati sa 10 për qind e PBB-së
“Të ardhurat që ekonomia shqiptare përfiton nga turizmi sivjet do të jenë mbi një miliard euro më të ulta sa është përfituar vitin e kaluar dhe kjo është gati sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për ta vënë në kontekst ose për t’a ilustruar më mirë se sa e madhe është goditja në sektorin e turizmit”, tha ai.
I pyetur për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara për shkak të tërmetit, Tomorri bëri me dije se Qeveria po vazhdon të procedojë me grante të cilat u jepen banorëve për ato shtëpi që janë të dëmtuara, por që nuk prishën.
“Pra, këto familje do të marrin para në dorë për të bërë riparimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa rindërtimi i banesave të shkatërruara totalisht, nëse nuk gaboj janë rreth 4 mijë banesa individuale pa përfshirë pallatet të cilat duhen ndërtuar nga e para. Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit 80% e tyre do të ndërtohet dhe 80% e familjeve që nuk kanë një banesë do të futen në banesat e reja”, tregoi ai.
Pyetje: Si ka qenë performanca e tatimeve në këtë periudhë kemi shifra mbi të ardhurat që janë mbledhur apo mbi defiçitin buxhetor?
Tmorri: Që nga hyrja në fuqi e masave bllokuese për shkak të të cilave u stopua edhe ekonomia, mesatarisht gropa e të ardhurave në buxhetin e shtetit ka qenë rreth 10 miliardë lekë në muaj ose ndryshe 100 milionë dollarë. Kështu kanë qenë muajt prill, mars dhe maj. Për nga secilin muaj ne kemi mbledhur 100 milionë dollarë më pak në arkën e shtetit krahasuar me tre muajorin e vitit të kaluar.
Ndërsa, muaji qershor do të ketë përsëri një rezultat në rënie krahasuar me një vit më parë. Ajo që shpresohet është se rënia të vijë duke u zbutur dhe hapja e pjesshme e ekonomisë të japë efektet edhe në fluksin e të ardhurave të ekonomisë që qeveria mbledh në buxhet. Megjithatë, vlen të theksohet se ky do të jetë një vit i vështirë për financat publike, pavarësisht se qeveria arriti të emetojë me sukses eurobondin dhe të sigurojë 650 milionë euro, prej të cilave gjysma do të përdoret për shlyrjen e borxhit ekzistues. 350 milionë të tjera shkojnë për financim defiçiti. Këto para mund të themi se janë shpenzuar vetëm për shkak të asaj grope që ne kemi tek të ardhurat. Ku për çdo muaj kemi minus 10 miliardë lekë.
Pyetje: Çfarë po ndodh aktualisht me rindërtimin, pamë kryeministrin Edi Rama i cili nga Shijaku paralajmëroi shpërndarjen e disa granteve. Sa para janë marrë nga BE dhe sa përqind e fondeve janë alokuar në funksion të rindërtimit?
Tomorri: E para proceci i rindërtimit është i vonuar në aspektin që lidhet me ndërtimin e shtëpive të shkatërruara totalisht nga tërmeti. Qeveria po vazhdon të procedojë me grante të cilat u jepen banorëve për ato shtëpi që janë të dëmtuara, por që nuk prishën. Pra, këto familje do të marrin para në dorë për të bërë riparimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa rindërtimi i banesave të shkatërruara totalisht, nëse nuk gaboj janë rreth 4 mijë banesa individuale pa përfshirë pallatet të cilat duhen ndërtuar nga e para. Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit 80% e tyre do të ndërtohet dhe 80% e familjeve që nuk kanë një banesë do të futen në banesat e reja.
Gjatë muajve të fundit procesi është vonuar veçanërisht tek tenderi për ndërtimin e banesave. U shpall në muajin prill dhe u anulua për shkak se ofertat ishin më të larta nga fondi limit, ndërkohë që edhe kriteret teknike u rishikuan. Ende nuk kemi përmbylljen e këtij procesi dhe fillimin e punës në terren për ndërtimin e banesave.
Fondet e donatorëve- Në konferencën e donatorëve u premtua mbi 1 miliard euro mbështetje për Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit. Një paketë e cila ishte kombinim me granteve dhe kredive të buta. Për këtë vit qeveria ka parashikuar një buxhet prej 70 milionë euro grante nga donatorët dhe 13 miliardë lekë para nga buxheti i shtetit. Në total, fondi që ka dhënë qeveria për rindërtimin këtë vit është rreth 20 miliardë lekë. Mirëpo, ne ende nuk e dimë se cila pjesë e parave të premtuara nga donatorët ka ardhur në buxhet, pasi shifrat e donacioneve janë pak kontradiktore. Kjo për shkak se shuma e premtuar nuk do vijnë par cash për qeverinë.



