“Xhadat” trajtoi rastin e Roel Mallajmerit, vogëlushit 7-vjeçar nga qyteti i Korçës, i cili ka lindur me probleme të spektrit të autizmit. Motra e tij, solli në redaksinë e emisionit “Xhadat” shqetësimin e saj pasi para një viti kishte aplikuar për përfitimin e kempit të vëllait të saj, por që prej asaj kohe nuk kishte marrë asnjë informacion.
Përveç mungesës së të ardhurave financiare, mungesa e vërtetimit nga KEMPI, i kishte shkaktuar vogëlushit probleme në lidhje me regjistrimin në shkollën speciale.
“ Kam shkuar disa herë aty po më thonë që mund të vonojë edhe një vit. Po kjo mua më sjell një problem pasi te shkolla e vëllait duhet vërtetimi i kempit. Nëse nuk e marr këtë do detyrohem ta heq nga shkolla vëllain”-u shpreh motra e 7-vjeçarit.
Në lidhje me rastin gazetarët e “Xhadat” ju drejtuan fillimisht Shërbimit Social Shtetëror dega Korçë, për të mësuar nëse dosja e Roelit bashkë me përgjigjen kishte ardhur nga Tirana.
Sipas tyre, dosja nga Tirana kishte shkuar dhe një muaj më parë ja kishin transferuar atë Drejtorisë se Kujdesit Social , pranë Bashkisë Korçë.
Nga komunikimi me përgjegjësin e pagesave pranë Drejtorisë së Kujdesit Social, nuk u mor përsipër asnjë përgjegjësi për vonesën. Sipas tyre institucioni nuk dispononte një shkresë me datën e mbërritjes së dosjes për shkak së punonjësja në kohën e mbërritjes së përgjigjes ,por edhe tani kishte qenë e sëmurë.
Pas ankesës, përgjegjësi i institucionit verifikoi në sistem mbërritjen e dosjes dhe i dha denoncueses vërtetimin për përfitimin e kempit të vëllait të saj.



