Blendi Fevziu në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV ka komentuar edhe lidhur me aksionin opozitar, teksa konsideron të pakuptimtë bllokimin që mazhoranca po u bën komisioneve hetimore që ka kërkuar opozita.
Ai tha se komisionet hetimore që ka kërkuar opozita janë normale dhe një nga të drejtat që ka pakica, ndërsa aksionin e opozitës për të kundërshtuar këtë shkelje të të drejtave të tyre, e konsideron si të vetmen rrugë që u ka mbetur.
Opozita ka të drejtë absolute për komisionet hetimore. Patjetër që duhet të lejohen. Maxhoranca nuk i bllokon se ka frikë, se po të ishte për frikë, ishte komisioni për inceneratorët. Është taktikë politike, por nuk mund të përdorësh taktika të tilla duke shkelur ligjin. Opozitës i duhen dhënë të gjitha komisionet. Kjo është pa sens, patjetër të marrin komision hetimor. Çfarë problemi ka që opozita heton? Çfarë i mbetet tjetër opozitës nëse nuk ka as komisione hetimore?
Ndërsa referuar bllokimit që opozita po bën, Fevziu tha se kjo është një nga format, dhe sipas tij ndoshta do të shtohet mbështetja publike më pas.
Nuk di të them sa përkrahje do të ketë. Por, rrugë tjetër ata nuk kanë. Opozita mund të kishte mundësinë, që të kishte gjysmën e Shqipërisë në rrugë. Ndërkohë një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë zgjedhur të ikin dhe jo të protestojnë. Është mungesë besimi. Nuk është më si vitet 2000 ku e vetmja mënyrën për të ndryshuar jetën ishte politika.
Sot njerëzit aplikojnë për punë online, perëndimi i merr sepse ka nevojë, ngrihen dhe ikin, nuk kanë më nervin e të luftuarit në vend. Duhet të përshtatesh me kohën. E mbani mend, në 2005 njerëzit nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të ndryshonin Sot, e shohin që ka padrejtësi dhe ikin. Vëmendja te politika nuk është më e njëjta, ka ndryshuar shumë.



