
Tre ditë më parë, një video në të cilën zëvendëskryeministri austriak shfaqej në një bisedë për një marrëveshje korrupsioni, zuri faqet e para të mediave të Europës. Zëvendëskryeministri dhe aleat i kryeministrit Sebastian Kurz dha dorëheqjen menjëherë pas publikimit të videos. Pa kaluar 24 orë, kreu i qeverisë lajmëroi fundin e koalicionit me Partinë e Lirisë dhe i kërkoi presidentit të caktonte datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në Shqipëri nuk ishin të paktë ata që panë një analogji të rastit në fjalë me skandalin e videos Meta-Prifti në vitin 2011. Një analogji të tillë, por me doza ironie për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në Shqipëri pas publikimit të videos, e kanë bërë dje gazetat austriake "Kleine Zeitung" dhe "Die Presse".
“Një video inkriminuese mund të çojë drejt fundit të karrierës politike, por mund edhe të ndihmojë të ngrihesh në majë, siç tregon shembulli i Ilir Metës në Shqipëri. Një kamera kapi zëvendëskryeministrin në bisedime për marrëveshje korrupsioni me ministrin e tij të Ekonomisë. Përgjimi u dërgua në media, por nuk u pranua si provë. Meta dha dorëheqjen por gjykata e nxori të pafajshëm. Si faktor kyç për maxhorancë, pas ndërrimit të qeverive, ai u kthye në një nga pozicionet më të larta. Ai u bë kryetar Parlamenti dhe dy vjet më parë u zgjodh President i Shqipërisë”, shkruan gazeta austriake.



