Vdekja e Egli Progës në Pogradec/ Përplasja mes institucioneve, ku secili shfajësonte veprimet e tij

Vdekja e Egli Progës në Pogradec/ Përplasja mes institucioneve, ku secili shfajësonte veprimet e tij

Parashikohej të ishte një ditë normale për Eglantin Progën data 10 gusht e këtij viti. Kishte lënë  punën dhe para së të shkonte në shtëpinë e tij në qytetin e Pogradecit ku e prisnin 2 fëmijët dhe gruaja ai ndaloi në një lokal të konsumonte diçka për të pirë.

Aty do të takonte disa persona me të cilët njihej, pasi në këtë qytet të vogël të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Por asnjëherë nuk e kishte menduar se kjo do të ishte dita e fundit e jetës së tij.

Ai do të konfliktohej me Denis Meçen në rrethana ende të paqarta dhe për me tepër motivet janë po ashtu dhe hetimi i prokurorisë ende nuk ka mundur që të japë një motiv. Por përpara se të arrijmë te hetimi i prokurorisë, pasi do të merremi me detaje me të, do shohim veprimet e policisë në vendngjarje, të cilat sollën një indinjatë të madhe shoqërore.

Familjarët e Eglantinit dhe dëshmitarë okularë akuzuan Policinë e Pogradecit se kishte mbrojtur autorët dhe motivet e vërteta të ngjarjes e për më tepër ishte manipuluar vendi i krimit. Ngjarja ndodhi në datën 10 gusht dhe fillimisht u raportua në media si aksidentale pasi Eglantin Proga ishte rrëzuar në trotuar për shkak të përdorimit të lartë të alkoolit. Po atë ditë në darkë media të ndryshme filluan të raportonin se motivi ishte tjetër dhe se babai i dy fëmijëve kishte humbur jetën si pasojë e një konflikti me persona të tjerë.

Ndryshe nga herë të tjerë njoftimi i Policisë së Shtetit po vononte ndërsa gjithë rrjetet sociale po vlonin mbi motivet e ngjarjes dhe rolin e policisë në të. Në datën 11 gusht do të vinte dhe reagimi i parë zyrtarë i Policisë së Korçës për këtë ngjarje ku njoftoi se ishin arrestuar katër persona për këtë ngjarje.

Denis Meçe do vihen në pranga për akuzën e vrasjen me dashje. Ndërsa Voltan Shkulaku, Arian Manellari dhe Lonidha Guçi do arrestoheshin për moskallëzim krimi. Indinjata ishte e madhe për shkak se gati 24 orë në media titull kryesor ishte se Eglantin Proga, kishte humbur jetën si pasojë e rrëzimit në trotuar për shkak se kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli.

Motra e Egli Progës

Akuza erdhën edhe për mënyrën se si u menaxhua vendi i ngjarjes nga komisariati i Pogradecit duke ngritur pikëpyetje se persona të  ndryshëm ishin ndihmuar nga blutë. Dosja u mor në dorë nga Prokuroria e Korçës nën drejtimin e Vasjana Postol, për të cilën u ngritën dyshime se ishte në konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj ishte mik me njërin prej të arrestuarve. Dosja shkoi në gjykatë dhe në datën 14 gusht u zhvillua seanca për vendosjen e masës së sigurisë. Në sojen e dërguar në gjykatë e parë gjë që bien ë sy është ndryshimi i akuzës për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia.

Në dosje sqarohet me detaje se si ka ndodhur ngjarja kryesisht mbi dëshminë e persona të arrestuar apo atyre që kanë qenë dëshmitarë okularë. Aty nuk ka prova shkencore siç janë kamera sigurie që të vërtetojnë dëshmitë e dhëna nga këta persona.  Të gjithë personat të cilët janë marrë në pyetje në dëshminë e tyre janë munduar që kësaj ngjarje t’i japin idenë se ka qenë një konflikt banal që ka çuar në humbjen e jetës së Englantinit.

Prokuroria ka marrë dëshminë e pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja Voltan Shkulakut, një nga të akuzuarit për moskallëzim krimi. Ai ka sqaruar se viktima dukej se kishte konsumuar alkool para se të vinte në lokalin e tij. Gjithashtu ai vazhdon në dëshminë e tij se nuk e kishte parë momentin e konfliktin mes viktimës dhe autorit për shkak se ishte duke pastruar brenda në bana.

“Shpjegoj se Igli mësa pashë kur erdhi në tavolinë kishte konsumuar alkool tek lokali i tij, pasi ka një bar-kafe afër lokalit tim, rreth 50 metra më  tutje dhe ka ardhur aty. Ai ka qenë vetëm fare kur ka ardhur tek lokali im dhe sapo erdhi është ulur në tavolinën ku isha ulur unë me Andi Shkulakun, ka porositur birrë për vetë dhe Andin, ndërsa unë në atë moment jam ngritur nga tavolina për të bërë pastrimet.”- Voltan Shkulaku

I pyetur nëse viktima ka pasur debate me ndonjë person në lokal, pronari i këtij biznesi thotë se nuk ka ndodhur në dijeninë e tij. Ndërsa autorin e ngjarjes Denis Meçe nuk e përmend fare.

“Jo nuk është zënë me njeri aty dhe aq pak sa ndetja unë me të kam dëgjuar se ishte i mërzitur dhe më ka thënë se do ta mbyllte lokalin. Nuk kam folur me asnjë nga personat aty, pasi më ka zënë gjaku, se ai ishte me gjak në fytyrë dhe unë e kam fshirë me kartëpeceta dhe nuk kam komunikuar me asnjë derisa erdhi policia që na ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec. Shpjegoj se kamera që kam unë tek lokali e kam kontrolluar dhe nuk regjistronte fare, por vetëm sa sheh në moment dhe asgjë më tepër.”- Voltan Shkulaku.

Për llogari të këtij hetimi është pyetur edhe kushëriri i viktimës Ardian Bego, cili në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë vetëm 30 metra larg. Ai shpjegon se ka qenë në një dyqan tjetër dhe në moment kur ka marrë vesh se është i afërmi i tij është afruar dhe ka kërkuar ndihmë për ta dërguar në spital.

“Jam afruar në vendin ku ai ishte rrëzuar dhe pashë atje që ai ishte pa ndjenja fare. Në atë kohë ka ardhur shërbimi i policisë dhe persona që atje kanë njoftuar ambulancën. Kam kërkuar ndihmë rreth e rrotull për ndonjë person që mund ta merrte në makinë kushëririn tim dhe ta çonim në spital. Pas 10 minutash ka ardhur ambulanca dhe e transportoi në spital, kua kam hipu edhe unë. Përsëri në ambulancë, kushëriri im , Engalintin Proga nuk po reagonte. Në ambientet e spitalit mjeku kardiolog më komunikoi se pas ndihmës së dhënë ai përsëri nuk ka reaguar dhe më konfirmoi se kishte ndërruar jetë.”- Ardian Bego

Edhe Ardian Bego nuk mund të identifikonte autorin e ngjarjes pasi kishte qenë larg dhe nuk ka parë se nga ka ikur për shkak se aty ishin mbledhur shumë njerëz. Andi Shkulaku është një person tjetër i cili ka që=enë dëshmitar okular i ngjarjes i cili ka treguar me detaje si nisu konflikti mes Denis Meçës dhe Englatin Progës.

“Denis Meçe i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit në trotuar me dy persona të tjerë, i ka thënë Englatinit 2-3 herë që t’i dridhte një cigare, Englatini i ka thënë ja se po ta dredh. Ai drodhi cigare për vetë dhe Denisin dhe pasi e bëri gati i tha Dneisit që të vinte ta merrte. Denisi ka hyrë brenda, ka marrë cigare dhe kanë filluar të dy me njeri-tjetrin duke thënë o kushëri. Pas një çasti Englantini i thotë Denisit o b.. q..mos më bëni mua si të fortë se ju q… k… Më pas kaluan përsëri në të qeshur.- Andi Shkulaku

Shkulaku tregon në dëshminë e tij se Denis Meçe i ka kërkuar viktimës që të dalin jashtë kua ta kanë debatuar për rreth 1 minutë.

“Pas debatit Andi ka parë që në një moment Denis Meçe godet me grusht Englantinin dhe këtij të fundit i ka zënë koka në një makinë parkuar aty pranë dhe pas është rrëzuar në tokë duke i zënë koka në asfalt. Pas këtij momenti Andi çuar dhe ka shkuar për ti dhënë ndihmën e parë, aty ka ardhur pronari i lokalit dhe kalimtarë të rastit por Englantini nuk reagonte dhe ishte i gjakosur nga goja dhe hundët.”- Dosja e Prokurorisë

Leonidha Guçe i arrestuar nga policia ,është një tjetër person që ka qenë aty kur ka ndodhur konfliktin dhe ka qenë ulur në të njëjtën tavolinë me autorin e krimit, Denis Meçen. Ai e shpjegon kështu momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë.

“Ai ka parë që Denisi është çuar nga tavolina, por nuk e ka parë se ku ka shkuar, ka hyrë Brenda në lokal apo është larguar. Ndërkohë ka qenë ulur në tavolinë vetëm me Arianin ,ka dëgjuar një grua që ka bërtitur, sillnin ujë dhe lajmëroni ambulancën. Ai ka parë që Englantini ishte zverdhur në fytyrë . Ai ka dëgjuar nga njerëzit se Englatini e kishte goditur Denis Meçe, është ndjerë i çuditur nga ky fakt. Më pas ka dëgjuar që i kanë thënë që ai ta merrte në makinë dhe ta çonte në spital, por ka dëgjuar që ishte njoftuar ambulancën dhe nuk e ka marrë.”- Dosja e Prokurorisë

Pas ngjarjes autori i saj Denis Meçe është zhdukur duke humbur çdo kontakt për disa orë. Vetëm në orën 3:30 pas mesnate është paraqitur vetëm në komisariatin e Policisë, Pogradec ku është marrë në pyetje nga oficerët. 29-vjeçari ka sqaruar se e gjitha nisi për shkak të ofendimeve që Eglantin Proga i bëri ku gjithçka sipas tij filloi me dredhjen e një cigareje. Sipas tij ai e ka sharë atë dhe Klodin por asnjëri nga të dy nuk e mori seriozisht. Po situate sipas Denis Meçes ka vazhduar dhe ai ka hyrë brenda dhe i ka kërkuar llogari se përse shante.

“Duke qenë se kjo situatë vazhdonte, unë kam hyrë Brenda dhe i kam thënë ore çfarë ke që shan, por ai ka vazhduar sërish të shajë dhe unë i kam thënë po hajde pak jashtë të flasim. Ai më tha po hajde se çfarë do më bësh ,do më hash k.... dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur ti fus një shpullë që ta qetësojë, por as i jam afruar kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më.”- Dosja e Prokurorisë

Ai tregon se ka qenë atë ditë ka konsumuar shumë alkool dhe ka qenë i dehur për këtë arsye është larguar duke fjetur gjumë në makinë. Kur është zgjuar ka marrë avokatin për ta pyetur se çfarë kishte ndodhur, pasi ka marrë vësh që Proga kishte humbur jetën i ka kërkuar që ta shoqërojë në polici, pasi donte jepte dëshminë e tij.

Por të gjithë këto dëshmi të dhëna më sipër të personave që kanë qenë në lokal Lonidha Guçe, Arian Manellari dhe Voltan Shkulaku hidhen poshtë nga një përgjim ambiental i cili është bërë në Komisariatin e Policisë.

“Nga përgjimi ambientali i kryer ndaj Leonidha Guçes dhe Arian Manellarit duke se ata i tregojnë njëri-tjetrit që kanë deklaruar se nuk kishin lidhje me ngjarjen dhe nuk kishin parë gjë dhe pretendonin se meqenëse ishin shoqëruar ata, duke të ishte shoqëruar edhe Voli, i cili kishte parë ngjarjen. Gjithashtu nga biseda e tyre rezulton se ata pyesin njëri-tjetrin se si ka mundësi që viktima vdiqa nga një grusht i Denisit, fakt që tregon se ata e kishin parë ngjarjen.”- Dosja e Prokurorisë

Kjo është ana hetimore e kësaj ngjarje të rëndë e cila do të prodhonte një reagim të madh qytetar për mënyrën se si reaguan institucionet shtetërore. Duke patur parasysh këtë në datën 14 gusht patën një reagim të sinkronizuar të policisë së shtetit, urgjencës kombëtare dhe kryeministrit të vendit. Në të njëjtën ditë erdhën edhe reagimet prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës të cilat sqaronin vendimet e tyre në raport më këtë çështje.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Muahmet Rrumbullaku do të dilte në një konferencë për mediat posaçërisht për vrasjen e Eglantin Progës. Ai mbrojti punën e policisë duke sqaruar se ishte respektuar e gjithë procedura ligjore dhe asnjë oficer i policisë nuk është angazhuar për të fshehur ngjarjen. Ai shigjetoi prokurorinë në fjalën e tij duke sqaruar se ishte ky institucion që ndryshoi akuzën, pasi blutë e kishin referuar vrasje me dashje.

Shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj doli në të njëjtën ditë për të treguar se ndihma e parë për Englatin Progën u dha në kohë record Brenda 20 minutave dhe se akuzat që bëhen institucionit që ai drejton  nuk qëndrojnë.

Në fund të do të vinte edhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama për këtë ngjarje i cili mbrojti Policinë e Shtetit dhe Urgjencën Kombëtare. Ndërsa akuza e prokurorisë si “vrasje nga pakujdesia” për autorin e kësaj ngjarje  i tingëllon e pakuptueshme.

“Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.”- Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Mes policisë dhe prokurorisë pati dhe një përplasje për akuzën e ngritur. Muhamet Rrumbullaku në deklaratën e tij sqaroi se policia e kishte referuar çështjen në prokurori për vrasje me dashje.

Prokuroria e Korçës e kapur në vështirësi në këtë rast u mundua të sqaronte se kjo është procedura që ndiqet në tilla raste dhe se nga provat që do të mblidhen do bëhet edhe regjistrimi përfundimtarë i akuzës. 

“Duke vlerësuar që nga materialet e referuara nga policia, goditja me grusht (siç ka rezultuar nga dëshmitë, autori i dyshuar e ka goditur vetëm një herë me grusht viktimën), nuk tregon vullnetin e viktimës për të vrarë një person, përndryshe prej tij do të ishte zgjedhur me shumë mundësi një send tjetër për të realizuar qëllimin e tij kriminal, por vetëm për ta dëmtuar atë, ndërsa vrasja me dashje kërkon qëllimin e viktimës për ta vrarë personin, duke marrë edhe sendet e nevojshme për ta realizuar qëllimin e tij.”- Prokuroria e Korçës

Secili institucion reagon për të justifikuar vendimet dhe veprimet e veta në këtë ngjarje. Gjykata e Korçës sqaroi se në këtë fazë të hetimit nuk mund të ndryshonte akuzën për personat e arrestuar, duke ia kaluar përgjegjësinë prokurorisë.

“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.”-Gjykata e Korçës

Në këto 6 vitet e fundit nuk është hera e parë që ngrihen shqetësime për mënyrën se si Policia e Shtetit ka reaguar në raport me qytetarët, pasi disa ngjarje të rënda kanë ndodhur.

Me e renda është vrasja e Klodian Rashës vjeshtën e vitit 2020 në zonën e Laprakës. Ai u qëllua me një plumb nga polici Nevaldo Hajdari pasi kishte thyer orën policiore për shkak të pandemisë COVID 19.

Rasti i vdekjes së Lear Kurtit është ngjalli indinjatë të madhe për shkak se ai u ndje keq gatë shoqërimin në komisariatin numër tre dhe më pas gjeti vdekjen ne spital ushtarak. Shkak i vdekjes dyshohet se ishte gëlltitja e një sasie droge.

Enea Ftoi vdiq brenda komisariatit të Korçës, në vitin 2019Familjarët e tij akuzonin policinë për ushtrim dhune ndaj të riut, por Prokuroria i hodhi poshtë këto pretendime.

Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë thoshte prokuroria në hetimet e saj, se 27-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, si pasoje e ishemisë akute të miokardit. Prokuroria mori dëshmitë e policëve dhe disa  personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohen kur i riu ndodhej i shoqëruar, por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës ndaj Enea Ftoit.

Ilvi Meta vrau veten brenda Komisariatit të Kavajës, në maj të këtij vitii i riu Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur, me lidhëset e kapuçit të bluzës brenda dhomës së ndalimit në Komisariatin e Kavajës, duke lënë mister shkakun e këtij gjesti ekstrem. Prindërit e mësuan lajmin përmes televizioni. I ati i tij ka akuzuar policët se e kanë rrahur djalin për vdekje, duke refuzuar që të pranojë mundësinë që ai mund të jetë vetëvrarë.

Një tjetër ngjarje e rëndë që ka ndodhur në brendësi të komisariateve të policisë është vdekja e  Arben Micit, i cili ishte arrestuar për dhunë në familje nga komisariati Kamzës. Ai i vuri flakën qelisë me një çakmak të cilin nuk duhet ta kishte me vete, duke humbur jetën.  I paraburgosuri Arben Mici i vuri flakën vetes brenda komisariatit nr. 5 të kryeqytetit, gjatë këtij viti.

Të gjitha këto ngjarje ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi formimin dhe efektive të policisë dhe nëse reagimi i tyre është proporcion me rrezikun që i kanoset kjo në rastet kur qytetarët i kanë ngelur në dorë policisë.

Ndërsa shqetësim i madh është dhe respektimi i procedurave kur një qytetar shoqërohet në polici duke i lënë ata në qeli me mjete me të cilat mund të vrasin vetën.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy