Aktivisti Igli Llapaj tha në “Mcn Informacion” se është alarmante që pacientet me kancer përballen me mungesa medikamentesh, brakiterapinë jashtë funksionit, mungesën e Pet-Scan-it dhe prishjen e aksceleratorëve.
“Sot gjendemi përballë faktit që e kemi mamografinë e prishur në spitalin më të madh të vendit QSUT. Tetori rozë është kthyer në tetor të zi, dhe na është dashur të protestojmë për gjërat më bazike, mungesa e ilaçeve, mungesa e poltronave. Është alarmante që të sëmurët më kancer marrin kimioterapinë më kushte skandaloze. Brakiterapia është jashtë funksionit prej tre muajsh, Pet-Scani mungon dhe asceleratorët që prishen çdo dy-tre javë dhe kjo e bën shumë të vështirë përballjen me skanerin.
Fonde ka por s’kanalizohen aty ku duhet, shkojnë në persona që në rastin më të mirë i keqpërdorin për shëndetësisë dhe në rastin më të keq i vjedhin. Sot s’duhet të kishim ministre AI, por përdorim të inteligjencës artificiale në mjekësi”.
Llapaj rrëfeu përvojën e tij të keqe në QSUT, duke u shprehur se “e pashë me sytë e mi makutërinë. Anestezisti doli nga operacioni 7 herë për të marrë ryshfetin! Doktori po ashtu kërkonte ryshfet”.



