
Skënder Vathi, i vënë nën akuzë si organizator i vrasjes së Behar Sofisë, ka apeluar masën e sigurisë të vënë më herët nga gjykata. Mësohet se Vathi nuk e ka pranuar përfshirjen e tij në krimin e rëndë që ndodhi në afërsi të qendrës së Tiranës dhe kërkon që t’i ndryshohet masa e sigurisë.
Ndërkohë, 3 të arrestuarit e tjerë, Ernejt Shyti, Leonard Xhixha dhe Xhulio Visha, që akuzohen si të përfshirë në këtë ngjarje nuk kanë bërë ende ankimim në Gjykatën e Apelit. Deri tani i vetmi që ka pranuar krimin dhe ka bashkëpunuar me hetuesit është Ernejt Shyti, i cili dyshohet që të jetë dhe ekzekutori i Sofisë.
Katër personat e akuzuar për vrasjen e Sofisë u arrestuan pak ditë më parë nga Policia e Tiranës. Vathi, Xhixha dhe Visha fshiheshin në Shqipëri, ndërsa Shyti ishte larguar drejt Malit të Zi, ku dhe punonte si punëtor sezonal. Vrasja e Behar Sofisë ndodhi në 25 Shkurt, në afërsi të Piramidës. 66-vjeçari u ekzekutua pak pasi doli nga banesa e tij.



