220 studentë italianë të pranuar në shkollën e mjekësisë, studimet e tyre universitare nuk do t’i fillojnë në Itali, por në Tiranë, Shqipëri. Ky është rezultat i semestrit-filtër të futur këtë vit, i cili caktoi studentët në fjalë të ndjekin studimet në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Mediat italiane raportojnë se për shumë prej tyre, kjo ishte një surprizë e pakëndshme. Para së gjithash, për shkak të tarifës: mbi nëntë mijë euro, shumë larg tarifave të universiteteve italiane. Lajmi u raportua nga “La Repubblica”.
Ministrja italiane e Arsimit, Bernini, e ciëlsoi këtë një vendim të gabuar.
Kandidatët e caktuar në Tiranë, shpjegon Repubblica, janë ata që, në tre testet e kërkuara gjatë semestrit të tranzicionit, arritën rezultatet më të ulëta: dy ose, në 90% të rasteve, vetëm një notë kaluese. Vendi që fituan ka të ngjarë të mos ketë qenë zgjedhja e tyre e parë. Që nga gushti dihet se 220 vendet në Tiranë ishin ndër 17 278 të disponueshme nëpërmjet Ministrisë së Universiteteve dhe Kërkimit, edhe pse në atë kohë ato ishin ende në procesin e akreditimit. Megjithatë, disa studentë thanë se nuk e dinin që vendi ku do të ndiqnin studimet ishte jashtë kufijve.
"Kur zgjodha preferencat e mia, nuk e dija që vendi ishte në Shqipëri; mendova se ishte Tor Vergata në Romë", citohet një studente.
Në fakt, kampusi i Tiranës është rezultat i një diplome të përbashkët midis Tor Vergata dhe Universitetit Katolik Shqiptar Zoja e Këshillit të Mirë - përfshin taksa private, dhe për këtë arsye shumë më të larta se standardet italiane.
Firma ligjore Delia, e cila këshillon disa studentë, thekson se jo të gjithë e kishin të qartë se tarifat e shkollimit do të ishin të ndryshme nga ato shtetërore.
"Provimet ishin publike, unë rendita të gjitha kampuset e disponueshme, por nuk e dija që Tirana ishte private, se do të më duhej të paguaja kaq shumë", citohet një studente tjetër.
Faqja e internetit të Universitetit Tor Vergata specifikon edhe tarifën e shkollimit: 9,650 euro në vit, që duhet të paguhet në vetëm një këst.
Tani studentët në listën e renditjes përballen me një zgjedhje: të heqin dorë nga vendi i tyre ose të bëjnë apel. Tre mijë studentë kanë kontaktuar tashmë Unionin e Universiteteve dhe firmat ligjore Leone-Fell, Bonetti dhe Delia - profesionistë përgjegjës për ankesat - për t'u bashkuar me apelet individuale dhe kolektive. Raportohet për rreth 5 000 të tjerë janë të interesuar.
/ Sky TG 24 /



