Situata me pandeminë në nivel global, ka ndikuar edhe në sektorin bujqësor. Për tu njohur me zhvilllimet në këtë kohë krize, sot Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, zhvilloi një videokonferencë me homologët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dy vendet e Bashkimit Europian, Kroacinë dhe Slloveninë. Gjatë këtij takimi virtual u diskutua mbi situatën në sektorin bujqësor në kushtet e emergjencës së COVID-19 dhe masat që duhet të ndërmerren për të amortizuar efektet e kësaj krize.
Ministri Çuçi i njohu homologët me masat që ka marrë qeveria për vijimin e import-eksportit dhe aktivitetit normal në zonat rurale dhe sektorin e agrobiznesit.
“Në mënyrë që të mos ketë vonesa në furnizimin me ushqime, Shqipëria ka kufizuar në minimum periudhën e inspektimit në pikat kufitare. Kërkova që kjo praktikë të garantohet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”- u shpreh ministri.
Gjatë këtij takimi, Çuçi propozoi monitorim nga afër të nivelit të prodhimit dhe furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore në vendet e rajonit në mënyrë që të mos gjendemi përpara të papriturave pasi askush nuk di të thotë se sa do të zgjasë beteja me COVID-19.
“Në këtë situatë është shumë e rëndësishme që vendet tona të respektojnë parimet për tregtinë e lirë në rajon, si dhe të komunikohet rregullisht përmes kësaj platforme për iniciativat e reja dhe paketat e politikave për të mbështetur fermerët dhe përpunuesit në këtë periudhë” u shpreh ministri, ndërsa theksoi se, “Krahas masave përkatëse që merr çdo vend në mënyrë të pavarur, është gjithashtu e rëndësishme të dëshmojmë solidaritet dhe të funksionojmë si një treg i vetëm”.



