
Sot në Tiranë u mbajt Forumi Ekonomik mbarëshqiptar me temë “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri, me pjesëmarrjen e ministres së Financave, Anila Denaj, dhe zv.kryeministrit i Kosovës, Fatmir Limaj. Gjatë këtij forumi, përfaqësues të sipërmarrjeve të Kosovës, kanë pasqyruar një sërë problematikash, me të cilat ata hasen gjatë aktivitetit të biznesit që ata ushtrojnë në Shqipëri.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka ftuar qeverinë shqiptare dhe Shoqatat Tregtare nga Shqipëria të bëjnë listën nëse kanë ndonjë pengesë burokratike apo të çfarëdo natyre nga Kosova. Limaj apeloi te bizneset e dy vendeve që të gjejnë interesat e përbashkëta duke u zotuar se do të eliminojnë çdo pengesë burokratike që i pengon ata në funksionim.
Astri Panxha, drejtor i forumit mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri, tha se marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë janë në rritje, por përfitimet më të mëdha të rritjes i ka pasur Shqipëria.
Kosova i ka lënë tregjet e hapura me Shqipërinë, tha ai. Në të kundërtën, bizneset e Kosovës hasen me një sërë pengesash jo tarifore.
Ndër këto pengesa u përmendën zbatimi i normës më të lartë të akcizës, për produkte të prodhuara nga plastika në krahasim me normën e akcizës së aplikueshme për produktet e njëjta të prodhuara në Shqipëri.
Tjetër problem është mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga dogana në Shqipëri, çka bën që bizneset e Kosovës të paguajnë më shumë TVSh në doganë, duke mos qenë konkurrues me çmimet.
Mungesa e harmonizimit të legjislacioneve ka qenë një problem i kahershëm i ngritur nga bizneset e të dy vendeve, së bashku me mosnjohjen e dokumenteve dhe procedurave respektivë që mbahen nga agjencitë doganore në dy kahet e kufirit (p.sh. nga autoritetet sanitare dhe fitosanitare).
Bizneset e Kosovës paguajnë dhe 20 euro për çdo ngarkesë fitosanitare për mallrat që destinacion kanë Kosovën, dhe që në Shqipëri kalojnë vetëm tranzit.
Kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha se janë bërë 6 mbledhje qeverish Shqipëri- Kosovë, por problematikat në bashkëpunim janë prezente dhe gjithashtu bizneset nuk janë të mirëinformuar për potencialet dhe problematikat mes dy vendeve.
Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se koha për spektakle ka mbaruar. Ai shtoi se nuk ka pasur rezultate nga mbledhjet mes dy qeverive. ‘Kemi vërejtur burokraci në punën e grupeve për marrëveshjet’, tha ai, duke shtuar se bizneset nga Kosova kanë problem skanimin dhe taksën në kufi.
‘Tarifa e skanimit duhet të jetë vetëm për Shqipërinë, është absurde të aplikohet për Kosovën’, shtoi z.Limaj. ‘Për 5 lloje produktesh duhet paguar nga 22 euro, kjo është haraç’.
Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha objektivi është te thjeshtimi i burokracive dhe procedurave mes dy vendeve. ‘Por kemi akoma rrugë për të bërë. Një sistem i informatik i ri do të shmangë shumë procedura në dogana’.
Ajo premtoi se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës. ‘E mendojmë që nuk është i pamundur. Kërkesat e Kosoves për procedurat doganore, skanerin, taksën e rrugës janë të negociueshme’.



