Ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi tha në MCN Live se me marrëveshjen e emigrantëve Rama-Meloni, Shqipëria kthehet në një kategori me shtete si Ruanda, që zgjidhin probleme elektorale të një vendi tjetër.
Sipas tij Rama e bëri marrëveshjen për të fituar legjitimitet ndërkombëtar, me idenë se Perëndimi do të mbyllë sytë për atë çfarë ndodh brenda Shqipërisë.
Bumçi vuri në dukje se Britania e Madhe ndryshe nga Shqipëria e rrëzoi marrëveshjen për Ruandën, duke respektuar konventën dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ndër të tjera Bumçi tha që s'mund të ketë estradime drejt Turiqsë pa vendim gjykate, referuar deklaratave të kryediplomatit turk për elementët e FETO-s në Shqipëri.
Lidhur me deklaratat e Ramës për rritjen në 950 mijë lekë të pagës mesatare të mësuesve, Bumçi tha:
Jemi në vitin e 11 të qeverisjes së z. Rama, dhe nëse ka pasur një gjë të qëndrueshme ka qenë mosrritja e rrogave dhe pensioneve. Në vitin 2012 kemi qenë mbi Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për pagat në administratë. Kemi rënë ndjeshëm gjatë këtyre viteve sepse në qeverisjen Rama nuk pati rritje. Nëse ka rritje është e vonuar, kemi tre vite me një inflacion shumë të lartë, që ka gërryer fuqinë blerëse. Sondazhet nga BERZH dhe Eurostat tregojnë që shqiptarët ishin të fundit në rajon për kënaqësinë e jetës, shtoi kësaj dhe emigrimin masiv, tregon më së miri qeverinë e z.Rama. Çfarë modeli i japim të rinjve? Kemi administratën e tejfryrë me patronazhistë dhe modelin e 'të fortit' që bën një rrugë droge. Pse po bën shkolle?! Ky është modeli që Rama u ka dhënë të rinjve. Ky është kalbëzimi i shoqërisë”.
Duke u ndalur te marrëveshja Rama-Meloni, ish-ministri i Jashtëm tha:
Nuk ka fitore në institucione që ke kapur. Aty s’kishte një betejë me argumente, nuk ka fitore kur humbet Shqipëria. Ky po shet pjesë të Shqipërisë për të qëndruar në karrige. Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe e rrëzoi marrëveshjen për Ruandën. Është një konvent, një ligj. Ata e ruajtën konventën dhe të drejtat themelore, këtu në Shqipëri gjendet në përputhje! Kur kemi organizma të tjerë si 'Amnisty International', Kombet e Bashkura, zëra që e shikojnë me shumë shqetësim krijimin e kampeve-burgje në Shqipëri. Ajo gjykatë rrëzoi para disa javësh kërkesën e 1/5 të deputetëve, atje s’ka më gjykatë. Në këtë vend kanë rënë të gjitha institucionet, përveç opozitës. Përse e bën Italia është e kuptueshme. Një nga kartat që erdhi Meloni në pushtet ishte kufizimi i emigracionit të paligjshëm.
Për çfarë vijnë në Shqipëri? Sipas marrëveshjes do shqyrtohet kërkesa për një muaj. Në Itali për një muaj s’ka ndodhur kurrë, shkon 6 muaj deri në 1 vit, dhe Italia kthen një pjesë të papërfillshme. Si do t’i kthejnë nga Shqipëria?! Do kërkojnë të thyejnë kampin dhe në rrugë të paligjshme të hyjnë në Europë. Çfarë ndodh me imazhin e Shqipërisë? Pastaj të hyjmë te zhvillimi i turizmit në Shëngjin dhe zonën e Lezhës, që do kthehet në një qendër emigrimi me forca të armatosura. Ne s’përfitojmë asgjë, ne shkelim të drejtat e njeriut, dhe Shqipëria kthehet në një kategori me vende si Ruanda, që mund të zgjidhë probleme elektorale, por asnjëherë probleme të emigracionit. Po z.Rama e bën këtë sepse ndodhet në një moment shumë të vështirë dhe kërkon të fitojë legjitimitet ndërkombëtar duke u thënë se: 'unë ofroj zgjidhje, mbyllni sytë se çfarë bëj brenda Shqipërisë, sepse unë ofroj zgjidhje', si në këtë rast.
Italia që është vendi i interesuar, zhvilloi një debat parlamentar, ku u ftuan edhe ekspertë nga Britania e Madhe. Parlamenti në Shqipëri nuk zhvilloi asnjë debat, ky është një sulltanat! Nuk është pronë e jotja! Kjo tregon më së miri që ky njeri e trajton si çiflig, siç e bën me Portin e Durrësit, që thotë me lekët tona do ndërtojmë portin, por do ta marrë një arab. Ka pasur reagime nga ndërkombëtarët, por të gjitha vendet po përjetojnë një fluks. Ky rend botëror s’është përgatitur për këtë fluks dhe kërkojnë të gjejnë zgjidhje që u japin përgjigje vetëm zgjedhjeve të radhës dhe asgjëje më shumë. Edi Rama është i dobët, sepse në 16 shkurt shpallet dënimi për McGonigal-in. Emri i tij përmendet në dosje. Ai s’mund të rrijë kryeministër asnjë ditë. Për të shpëtuar kërkon të ndërmarrë veprime të tilla”.
Ministri i Jashtëm turk përsëriti kërkesën e Ankarasë për shkarkimin e elementëve të FETO-s nga KMSH në Shqipëri. I pyetur mbi këtë çështje Bumçi shtoi:
Turqia është një vend mik, partner shumë i rëndësishëm, në të gjitha aspektet ekonomik dhe politik. Çështja e grushtit të shtetit siç është quajtur nga shteti turk dhe akuzat për organizatën e Gylenit janë të njohura. Ne jemi kundër grushteve të shtetit, por në të njëjtën kohë nuk mundet që një shtetas turk të ekstradohet pa një proces të rregullt gjyqësor. Nuk mjaftojnë akuzat politike. Ne kemi një konventë europiane dhe kushtetutën tonë për të mbrojtur. Nuk mundet një shtet të ndërhyjë me zgjedhjet e komunitetit fetar të një shteti tjetër”.



