
Një eurodeputet nacionalist bullgar bëri përshëndetje naziste në Parlamentin Europian në Strasburg, këtë të mërkurë, duke shkaktuar reagime të shumta.
Gjithçka teksa foli gjatë një debate mbi sundimin e ligjit në Poloni dhe Hungari.
Angel Dzhambazki i grupit euroskeptik ECR, siç shihet në pamje, zgjat dorën e djathtë para tij para se të largohet.
“Ne kurrë nuk do t’ju lejojmë të na tregoni se çfarë duhet të themi dhe të bëjmë. Rroftë Bullgaria, Hungaria, Orbon, Fidesz dhe Europa e shteteve nacionaliste”, tha deputeti bullgar i VMRO, Dzhambazki, më herët në parlament.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të 14 nëntorit, VMRO mori vetëm 1% të votave, duke mos arritur të përfaqësohet në Parlamentin bullgar.
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Pina Picierno, e cila drejtoi debatin, tha se institucioni do të “Kontrollojë me kamera se çfarë ndodhi, për të parë nëse pati përshëndetje naziste apo jo”.
“Ne nuk lejojmë në asnjë mënyrë gjestet dhe simbolet naziste. Nëse diçka e tillë është bërë, është jashtëzakonisht serioze dhe do të merren masa”, paralajmëroi Picierno.
Nga ana tjetër, Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola e cilësoi të papranueshme diçka të tillë.
“Një përshëndetje naziste në Parlamentin Europian është e papranueshme për mua, gjithmonë dhe kudo. Diçka e tillë është ofendim për mua dhe të gjithë të tjerët në Europë”, deklaroi Metsola.



