Dëshmitari i çështjes “CEZ”, Nuel Kalaj, ka deklaruar dje se nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje të Komisionit Hetimor të drejtuar nga socialistët, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.
Në një reagim në “Facebook”, Kalaj ka theksuar se ai ka pasur kontratë me kompaninë CEZ në Pragë për të mbledhur informacione për gjendjen e rrjetit të OSHE dhe nuk ka pasur asnjë rol në negocimin e marrëveshjes. Po ashtu ai ka mohuar të ketë njohje si me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe me djalin e tij, Shkëlzen Berisha. Ai ka paralajmëruar dhe dëshmitarin Romeo Kara që të mos shpifë ndaj tij, pasi do të përballet në rrugë ligjore.
Reagimi
Llogaria ime nuk është fshirë asnjëherë nga “Facebook”-u, por nuk kam dëshiruar të vazhdoj të bëhem pjesë e këtyre spekulimeve dhe mashtrimeve në çdo moment me emrin tim. Unë kam pasur një kontratë me CEZ-in për të mbledhur informacione në gjendjen e rrjetit OSHE, por në asnjë rrethanë nuk është negociuar për privatizimin nga ana ime. As për borxhin e keq, as për asnjë gjë tjetër. Dhe kurrë s’kam pasur kompani në Shqipëri për mbledhjen e borxheve të CEZ që la OSHE-ja. Z. Balla këtu le të kërkojë kush vodhi lekët e kompanive shtetërore dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo lekët që CEZ-i më shpërbleu për punën që bëra. Çfarë shkolle dhe çfarë universiteti kam unë është problemi im dhe jo i Taulant Ballës. Taulant Balla është mirë që të merret me grupin parlamentar se çfarë shkolle kanë dhe ku e kanë mbaruar shkollën.
Edhe një herë dua të citoj: nuk dua të bëhem pjesë e lojërave politike dhe kjo është arsyeja që unë nuk dua të dëshmoj asnjëherë për një gjë që nuk kam asnjë lidhje. Kam deklaruar që takimet e mia janë zyrtare në shoqërimin e drejtuesve të CEZit dhe jo takime “nga oxhaku”. I bëj thirrje Taulant Ballës të ndërpresë shpifjet ndaj meje dhe të mos përgojojë shumë familjen time. Dhe ju lutem shumë mos u mundoni të shpikni diçka që nuk ekziston, nuk kam asnjë lidhje as me Sali Berishën, as me Shkëlzen Berishën, aq sa kam me Edi Ramën dhe Taulant Ballën. Ju lutem hetoni pasuritë tuaja dhe mos u merrni me mua që nuk i kam borxh askujt. Shpresoj shumë që kjo lojë politike të marrë fund. Unë kam autorizuar një avokat që është paraqitur në komision dhe me sa di unë, në çdo shtet normal avokati ka të drejtë të përfaqësojë klientin e vet.
PËR AKUZAT E ROMEO KARAS
Sqarim për zotin Kara dhe mbështetësit e tij! Po spekulon pa fund dhe pa asnjë argument serioz në lidhje me personin tim. Nuk jam këshilluar, as nuk këshillohem nga askush siç këshillohet z. Kara, po jam në të drejtën time. Unë kam pasur kontratë me CEZ Grup Prag dhe kontrata ime është firmosur po në Pragë nga drejtuesit e kompanisë CEZ në zyrat e CEZ dhe jo në Tirane. Unë jam i bindur se ky komision po bën fushatë mediatike për të arritur te qytetari se ne po zbulojmë aferën e shekullit. Zoti Kara nga kush paguhet për të ndërtuar kaq shumë spekulime në lidhje me personin tim? Nëse kam shkelur ligjet shqiptare apo kam përvetësuar lekë nga taksapaguesit shqiptarë, apo nga CEZ Albania, unë përgjigjem para ligjit dhe po deshët edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Unë nuk kam pasur kurrë kompani për të mbledhur borxhet e këqija të CEZ Albania, nuk kam ndërhyrë kurrë te zyrtaret shqiptarë për të ndryshuar tarifat, ai që ka ndërhyrë le të përgjigjet. Pse do të përgjigjem unë kur s’kam as një arsye as ligjore, as morale të përgjigjem për gjëra që nuk më përkasin mua. I bëj thirrje zotit Kara që të lexojë pak më shumë ligjet për shpifje dhe spekulime, se një ditë ndoshta unë do të jem ai që do të kërkoj të drejtën time atje ku ka filluar dhe atëherë mos do të ketë pasoja vetë zotëria në fjalë?
Çfarëdo të thoni ju për çështjen CEZ, unë s’kam asnjë përgjegjësi ndaj askujt, veç ndaj kompanisë CEZ. Nëse CEZ ka diçka ndaj meje, mund të më thërrasë. Jam i gatshëm t’i përgjigjem CEZ-it në çdo kohë. Prandaj ju këshilloj, ndajeni sa më shpejt emrin tim nga spekulimet mediatike e politike për fushatën e 18 qershorit. Nuk jam unë dëshmitari kyç, pasi nuk kam çfarë të dëshmoj për askënd.



