Aktori i njohur i Hollivudit, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij të mërkurën, bashkë me të shoqen dhe qenin, mendohet se ka ndërruar jetë më 17 shkurt.

Policia e Santa Fe thotë se vdekja mund të ketë ndodhur më 17 shkurt, një javë e gjysmë përpara se trupat e pajetë të tij dhe të gruas të zbuloheshin më 26 shkurt, nga një kujdestar në shtëpinë ku çifti kishte jetuar për rreth 20 vjet.

Sherifi Adan Mendoza tha se regjistrimi i fundit në stimuluesin kardiak të aktorit, një pajisje me bateri që ndihmon në rregullimin e ritmit të zemrës, ishte 17 shkurti.

Hackman, 95 vjeç dhe Betsy Arakawa, 65 vjeç, u gjetën të vdekur të mërkurën, më 26 shkurt, në dhoma të veçanta. Të dy trupat treguan shenja të dekompozimit të avancuar.

Një ekzaminues mjekësor ka përjashtuar helmimin nga monoksidi i karbonit si shkak i vdekjes së çiftit.

Si Hackman ashtu edhe gruaja e tij rezultuan negativ për monoksid karboni, por rezultatet e autopsisë dhe toksikologjisë nuk janë bërë ende publike.

Si sherifi, ashtu edhe shefi i zjarrfikësve, i thanë emisionit "Today" të NBC sot se teoria e helmimit me gaz, e cila fillimisht u hodh poshtë, është ende e mundshme si shkak i vdekjes së çiftit.

Rezultatet e autopsisë dhe toksikologjisë mund të kërkojnë "tre muaj ose më shumë" për t'u përfunduar.