
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të respektojnë rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u kërkua pezullimi i taksës 100% ndaj produkteve serbe.
Këto deklarata presidenti Thaç i bëri sot në konferencën për media, pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se Serbia është dobësuar ekonomikisht me miliona euro nga taksa 100% por prishjen e raporteve me Amerikën nuk ka çmim që mund të paguhet.
Sipas presidentit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet i pakushtëzuar, por thotë se vendimi për pezullimin e taksës duhet të merret nga Qeveria, partnerët e koalicionit.
“Dialogu duhet të zhvillohet i pakushtëzuar. Prandaj mendoj se kjo këshillë duhet të respektohet, jo për t’u hequr taksa, por për t'i dhënë mundësi për një pezullim të përkohshëm, një procesi të një angazhimi të gjithanshëm ndërkombëtar. Natyrisht se ky vendim i takon Qeverisë së Kosovës, partnerët e koalicionit. Duket që Serbia po dëmtohet ekonomikisht, por nuk ka çmim që mund të paguajë dobësimin e raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të ruhet miqësia me Amerikën. Ftoj spektrin politik të mendojnë urtë e mençur”, ka shtuar presidenti.
Thaçi, gjithashtu, ka thënë se duhet të parandalohet ideja e Haradinajt për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën, pasi, sipas tij, aty do t’i jepej mundësi Rusisë dhe Kinës, që të ndërhynin në dialog, me rrezikun për hapjen edhe të statusit të Kosovës.
I pyetur nga gazetarët se çfarë ka dashur të thotë me deklaratën për korrigjim të lehtë të kufijve, Thaçi ka thënë se Kosova duhet të zyrtarizojë kufijtë me Serbinë njësoj siç ka vepruar me Maqedoninë e Malin e Zi.



