
Të martën u mbajt në Bruksel konferenca e 8-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cilësuar si një gur themeli në rrugën e vendit drejt BE-së.
Por si shihet ky proces nga të rinjtë?
Në “MCN informacion” folën Irisa Çupa, njohëse e Shkencave Politike, si edhe Jon Kola dhe Konstandino Rroga nga Shoqata Evropiane e Studentëve të Drejtësisë.
Ata theksuan se, pavarësisht progresit të Shqipërisë në procesin integrues, vendi ka ende shumë punë për të bërë për të përmbushur standardet dhe për të adresuar kritikat e Bashkimit Europian.
Irisa Çupa:
Tashmë mund të themi me siguri se Shqipëria nuk flet më për Bashkimin Evropian vetëm si një aspiratë politike apo dëshirë, por si një proces konkret.
Ky është momenti që do të ndajë ‘shapin nga sheqeri’, për të parë nëse do të ketë rezultate reale dhe jo vetëm direktiva apo premtime.
Ka ende një rrugë të gjatë përpara, por ky është një hap i rëndësishëm. Mund ta quajmë ‘fillimi i fundit’, që do të tregojë vazhdimësinë dhe seriozitetin e procesit.
Jon Kola:
Ndonjëherë rruga është më e rëndësishme sesa përfundimi. Synimi ka qenë gjithmonë përmirësimi i gjendjes ku ndodhemi dhe të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen.
Në fund të fundit, një ditë Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, por rëndësi ka me çfarë standardesh do të arrijmë deri aty.
Konstandino Rroga:
Do të ndalem te raporti IBAR, ku përtej entuziazmit të shprehur nga BE për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë, deri në afatin 2030, janë vendosur edhe disa kushte.
Është theksuar nevoja për një drejtësi të mbrojtur nga sulmet e përditshme politike, si edhe janë evidentuar disa problematika konkrete.
Së fundmi kemi parë edhe deklarata nga ambasadat e Gjermanisë dhe Holandës, të cilat shprehën shqetësime lidhur me shtetin e së drejtës dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Janë përmendur vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Jam optimist, por mendoj se duhet të jemi edhe më realistë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë më tepër për të përmirësuar standardet dhe për t’iu përgjigjur kritikave të BE-së.



