
Kombëtarja shqiptare luan sot në Budapest kundër Bjellorusisë ndeshjen e fundit dhe vendimtare të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
Lidhur me këtë sfidë, gazetari sportiv Tami Kona, në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN tv, u shpreh optimist se kuqezinjtë do të marrin një rezultat pozitiv dhe do të sigurojnë vendin e parë, pavarësisht dy mungesave të rëndësishme në formacion.
Pas fitores që arritëm në ‘Air Albania’ ndaj Finlandës, sot shkojmë në Budapest dhe sigurisht do të luajmë për dy rezultate. Normalisht nuk mund të bëjmë llogari, pasi ekipi duhet të futet në fushë për të fituar, por edhe në rastin më të keq të mundshëm, barazimi do të na vlente shumë, sepse vendi i parë përkthehet ndryshe.
Janë katër ndeshje me trajnerin Maran që do të përktheheshin direkt në vendin e parë, çka do të thotë se edicionin tjetër do të luajmë në Ligën B.
Sigurimi i kreut të grupit ka rëndësi jetike edhe për shortin e Kampionatit Europian që hidhet në datën 6 dhjetor, pasi e pozicionon Shqipërinë në vazon e tretë dhe i shmang përballjet më të vështira të vazos së katërt.
Duke analizuar gjendjen e ekipit, Kona vuri në dukje se trajneri Rolando Maran do të duhet të bëjë llogaritë pa dy titullarë kyç të ndeshjes së fundit, mesfushorin Ylber Ramadani, i cili plotësoi numrin e kartonëve të verdhë, dhe sulmuesin Ernest Muçi, i dëmtuar pas ndërhyrjes së ashpër në takimin ndaj Finlandës.
Fitorja e arritur para dy ditësh na jep shanse dhe duhet të japim maksimumin, edhe pse do të kemi dy mungesa kryesore. Ramadani, për shkak të kartonit të verdhë, nuk do të jetë pjesë e ekipit sot.
Ndërkohë, mungesa më e rëndësishme është ajo e autorit të golit dhe njeriut të momentit te kombëtarja jonë, Ernest Muçi. Sipas komunikatës së Federatës Shqiptare të Futbollit, ai nuk do të jetë as në stol, por do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna së bashku me Ramadanin, ndërsa Samuel Sina nuk ka udhëtuar fare me ekipin.
Me impenjimin e duhur të lojtarëve në fushë, Shqipëria ka të gjitha mundësitë për ta mbyllur këtë fushatë me fitore.
Trajneri Maran duhet të ketë parasysh impenjimin e futbollistëve, por unë mendoj se e kemi luksin ta fitojmë këtë ndeshje dhe ta kalojmë me sukses këtë sfidë.
